Njësitet e Task Forcës – Lindje të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë një aksion kundër kontrabandës së mallrave, duke ndaluar një automjet në rrugën magjistrale Gjilan–Ferizaj, ku janë zbuluar mallra të dyshuara si të kontrabanduara.
Rasti ka ndodhur më 13 prill 2025 rreth orës 15:30. Sipas raportit të Policisë, automjeti me targa vendore drejtohej nga një person mashkull kosovar. Gjatë kontrollit, brenda automjetit janë gjetur 138 palë atlete sportive për të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si kundërvajtje doganore. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa automjeti dhe mallrat janë deponuar në terminalin doganor për trajtim të mëtejmë ligjor.