Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qendrim Kryeziu, ka reaguar ndaj ngecjes shumëvjeçare të projektit të autostradës Prishtinë–Gjilan, duke akuzuar qeverinë aktuale për paaftësi në realizimin e projekteve infrastrukturore madhore.
Në një postim publik, Kryeziu tha se kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga ndalimi i punimeve në këtë autostradë, e cila, sipas tij, ka mbetur në pikën ku ishte lënë që nga koha e qeverisjes së PDK-së. Ai theksoi se kjo është një dëshmi tjetër e “mos punës” së qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, e cila “jo vetëm nuk ka nisur projekte të reja, por nuk ka arritur të përfundojë as ato të trashëguara”.
Kryeziu akuzoi qeverinë aktuale për “shpërndarje mjegulle dhe propagande” ndaj qytetarëve, duke shtuar se vetëm një ndryshim politik mund të sigurojë përfundimin e autostradës dhe projekteve të tjera infrastrukturore të lëna në gjysmë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor t’i japin mbështetje PDK-së, duke e cilësuar këtë parti si “adresën e vetme” për rikthimin e investimeve serioze në vend. Kryeziu garon me numër 103 në listën e PDK-së.