Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kanadaja i jep leje Ukrainës që t’i përdorë armët e saj në Rusi

Kanadaja i jep leje Ukrainës që t’i përdorë armët e saj në Rusi

Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare i Kanadasë ka thënë se Ukraina është e lirë për të përdorur armë të dhuruara nga Otava në territorin e Rusisë.

“Ukrainasit dinë më së miri se si ta mbrojnë atdheun e tyre dhe ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur kapacitetin e tyre” – tha zëdhënësja e këtij departamenti, Andee-Anne Poulin, raporton televizioni BBC.

Leja e Kanadasë vjen pas publikimit të një videoje ku gjoja shfaqej një automjet patrullues i prodhimit kanadez duke hyrë në territorin e Rusisë.

“Kanadaja nuk vendos kufizime gjeografike për përdorimin e pajisjeve ushtarake që ne ia dhurojmë Ukrainës” – shtoi zëdhënësja Poulin.

Kanadaja është zotuar për 4,5 miliardë dollar ndihma ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus. Këtu përfshihen tanket, dronët, artileria kundërajrore, municioni, raketat dhe automjetet e blinduara.

Një ditë më parë, edhe Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se Ukraina e ka të drejtën për t’i përdorur armët britanike për vetëmbrojtje, qëndrim që nuk ka ndryshuar as pas ardhjes në pushtet të laburistëve të kryeministrit Keir Starmer, duke sinjalizuar se këto armë mund të përdoren edhe në Rusi.

Powered by WordPress