A po shihni sa të zgjuara janë partitë politike gjatë fushatës? Dmth, kur është në pyetje interesi i tyre, ato janë super të zgjuara, e kur po bëhet për të përfituar qytetari dhe bizneset më vonë, po e fusin kokën nën dhe. Këtu vetëm njëra palë është duke përfituar nga kjo demokracia jonë e re.
Në kohë zgjedhjesh qytetarët po duken sikur mbretër. Gjithë ajo vëmendje tek ta. Por kjo duket vetëm një spektakël, njëfar teatri i mashtrimit për shkak se në fund politika dhe partia po fiton e qytetari po i paguan fatura dhe po mbetet vetëm një vegël. Demokracia pra po na vjen me një çmim për ne, se dikush duket se po e blen pushtetin, e tjerët shumica po e paguajnë faturën.
1,700 takime, po thonë, i bëjmë për një muaj, kur është në pyetje interesi i tyre për t’ju bindur që t’ua jepni votën. Tybe, nëse i bëjnë 170 takime për katër vjet në qeveri. 500,000 vota po i duan… E duam Kosovën cep më cep… Arrogancë në maksimum. Në fakt, për vete i duan 500 mijë e neve na japin 500 milionë në muaj deficit tregtar në mallra, aq para nxjerrin nga ekonomia çdo muaj. E rrëzojmë spitalin, e ndërtojmë një të ri, thuhet. Shkuan 500 milionë euro të qytetarëve por problemi nuk është tek ndërtesat fare.
Qytetarët duken vegël vetëm, ndërsa zgjedhjet janë mjet. Gjithçka për të ardhur në pushtet. Si po vijnë pastaj, nuk po i shohim më. A e keni parë kryeministrin? Në 10 studio shkonte në ditë më herët, tash nuk shkon fare. Po edhe disa media, në këto kushte socio-ekonomike, po punojnë për të hyrat financiare të tyre e në këtë rast politika duket se i kanë paratë.
Disa biznese i financojnë partitë, e pastaj partitë me ato para i blejnë edhe mediat dhe në fund neve na mbetet kompiri i nxehtë në dorë. Investime fantastike prej bizneseve. Jep 2-3 milionë tash, e merr tendera për 30 milionë euro më vonë.
Kjo fushatë po duket paksa e korruptuara në thelb. Jo vetëm në aspektin e partive politike dhe disa bizneseve, por në aspektin që nuk po bëhen për qytetarët dhe ekonominë. Zgjedhjet po bëhen për partitë politike… ato të fitojnë dhe të vijnë në pushtet që të menaxhojnë paranë publike. Kjo në vete është një korrupsion, sepse demokracia si sistem është për qytetarët. E këtu, më së paku po përfitojnë qytetarët.
Prandaj, mundohuni të hapni sytë. Jo vetëm sytë, por edhe trurin. Ti nuk je këtu për të avokuar për parti politike, por për të shikuar interesin tënd dhe të familjes e fëmijëve. Për të menduar për të ardhmen, përtej një pale zgjedhjesh, se edhe ashtu asgjë nuk po ndryshon me një pale zgjedhje. Deri tash, thuajse të gjithë po punojnë për politikën.