Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka dorëzuar sot në procedurë parlamentare rezolutën e cila ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.
Kamberi ka theksuar se përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, andaj propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginë të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Miratimi i kësaj rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian”, ka thënë ai në Facebook.