Kështu tha ai pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo vetëm sa e konfirmon publikisht atë që Kamberi prej vitesh e ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.

“Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi.