Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kamala Harris pritet ta prezantojë sot kandidatin e saj për nënpresident

Kamala Harris pritet ta prezantojë sot kandidatin e saj për nënpresident

Kamala Harris do të njoftojë të martën emrin e personit që ka përzgjedhur si kandidat për nënpresident, vendimi i saj i parë madhor si kandidate presidenciale e Partisë Demokrate dhe një hap tjetër në fushatën e saj për të fituar Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Njoftimi vjen një ditë pasi zonja Harris siguroi zyrtarisht emërimin si kandidate e partisë së saj për presidente, pas një raundi pesë-ditor votimi në internet nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Demokratik që përfundoi të hënën në mbrëmje.

Në një deklaratë pak para mesnatës, Komiteti Kombëtar Demokrat tha se 99% e delegatëve kishin votuar në favor të zonjës Harris. Votimi do të certifikohet zyrtarisht në Kuvendin e partisë në Çikago.

Zonja Harris, gruaja e parë dhe politikania e parë me prejardhje afrikano-amerikane dhe indiane që shërben si nënpresidente, bëhet kështu gruaja e parë jo e bardhë si kandidate zyrtare e njërës prej partive kryesore.

Lista e kandidatëve për nënpresident është ngushtuar mes Guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, i thanë agjencisë Reuters disa burime të hënën.

Nënpresidentja Harris pritet të shfaqet me kandidatin e përzgjedhur në një tubim fushate në Filadelfia të martën në mbrëmje. Vendimi i saj do të jetë një tregues i mënyrës së saj të të menduarit për strategjinë më të mirë për të fituar në zgjedhjet e nëntorit.

Guvernatori Shapiro, 51 vjeç, është një yll në rritje në parti me mbështetje të gjerë në Pensilvani, 19 votat elektorale të së cilës e bëjnë fitoren në këtë shtet vendimtar për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve.

Zoti Walz, 60 vjeç, shërben si guvernator në një shtet që voton vazhdimisht për demokratët, por ka treguar se është i pëlqyer mes votuesve të bardhë, ruralë, të cilët vitet e fundit kanë votuar gjerësisht për zotin Trump.

Amerikanët zakonisht përqendrohen tek kandidati për president kur zgjedhin se për kë të votojnë, por kandidatët për nënpresident mund të ndihmojnë ose dëmtojnë kandidatët e tyre bazuar në prejardhjen, popullaritetin në shtetin e tyre dhe aftësinë për të ndikuar në zona të rëndësishme elektorale ose tek votuesit e pavarur.

Senatori JD Vance, kandidati për nënpresident i përzgjedhur nga ish-Presidenti Donald Trump, nga shteti i Ohajos, ka shkaktuar reagime me komentet e tij për gratë që nuk kanë fëmijë, mes shqetësimeve se ato do të ndikojnë tek vota e grave. Në tubime fushate këtë javë, ai pritet ta kritikojë zonjën Harris lidhur me ekonominë dhe imigracionin. /VOA

Powered by WordPress