Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris pasi mori mbështetjen e kandidaturës për presidente nga Joe Biden pasi ku i fundit njoftoi se u tërhoq nga gara ka deklaruar se do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të mposhtur kundërkandidatin Donald Trump.
Ajo ka thënë se do të mundohet ta bashkojë Partinë Demokratike dhe të fitojnë zgjedhjet.
“Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të bashkuar Partinë Demokratike – dhe për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trump dhe axhendën e tij ekstreme “Project 2025”.
“Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, do të luftojmë, dhe së bashku do të fitojmë.”
Harris e përshkroi vendimin e Biden për t’i dhënë fund mundësisë për rizgjedhje si një “akt vetëmohues dhe patriotik” duke shtuar se ndjehet e nderuar që ka marrë miratimin e Bidenit për këtë garë.
Biden, 81-vjeçar është infektuar më herët gjatë javës me koronavirus dhe është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.
Biden u ka rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.
Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.
Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.
Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente.