Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kalimi i lojtarëve të FFK’së në Kombëtaren Shqiptare, “akt që reflekton ndjenjën e përbashkët kombëtare apo humbje për përfaqësuesen kosovare”

Kalimi i lojtarëve të FFK’së në Kombëtaren Shqiptare, “akt që reflekton ndjenjën e përbashkët kombëtare apo humbje për përfaqësuesen kosovare”

Një fenomen që ka shkaktuar debate të forta në mesin e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit, janë lojtarët kosovarë të cilët kanë vendosur të luajnë për Kombëtaren Shqiptare.

Të njëjtit po gjinden shpesh në qendër të kritikave duke aluduar në një “tradhëti” ndaj vet shtetit të Kosovës.

Reagime të shumta pati sidomos pas ftesës së kombëtares së Shqipërisë për lojtarin Etnik Brruti i cili, ka qenë kapiten i përfaqësueses U21 të Kosovës, dhe i cili pas kësaj ftese zgjodhi të luajë për Kombëtaren.

Këto kalime kanë shkaktuar diskutime mbi prioritetet e lojtarëve kosovarë, të cilët shpesh zgjedhin Kombëtaret A të vendeve ku janë rritur, duke lënë Kosovën të presë për përfaqësues të rinj.

Kurse në anën tjetër, trajneri i Kosovës U-21, Afrim Tovërlani, kishte kritikuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kreun e saj Armand Duka, duke i bërë apel për t’i lënë këto ftesa, pasi  sipas tij, Kosova nuk ka fuqi të punojë për dy ekipe.

“Nuk kam koment për lojtarët që po e tradhtojnë fanellën Dardane dhe që po luajnë me punën, mundin dhe djersën tonë. Këtu kanë faj edhe Duka dhe FSHF që nuk po e ndalin këtë trend. Ne nuk kemi forcë e fuqi që të punojmë për dy ekipe kombëtare”, kishte thënë Afrim Tovërlani.

E këto kalime të lojtarëve i komentoi edhe trajneri i ekipit të “Rilindjes”, Faruk Statovci i cili tha se “pa lojtarë të Kosovës, Shqipëria nuk do të marrë asnjë gjysmë pike të vetme”.

Derisa në ndeshjen Kosovë Islandë në kuadër të Ligës së Kombeve tifogrupi “Dardanët” kanë befasuar me mesazhin e hapur në stadium.

“Djemtë që i dalin zot vendit janë këtu, atdhedashurinë nuk e lëmë me u tregtu”, shkruhej në mesazhin e hapur nga tifogrupi i vetëm, që mbështet Kosovën në mënyrë të organizuar.

 

Lidhur me këto mesazhe, Arsim Jashari njohës i futbollit, njëherit ish- futbollist, në një prononcim për TV ARBËRIA tha se kalimin e lojtarëve disa po e shohin si një akt që reflekton ndjenjën e përbashkët kombëtare, derisa të tjerë, si një humbje për përfaqësuesen kosovare.

“Reagimi i publikut dhe kritikët ndaj lojtarëve që zgjedhin të luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë është i përzier. Një pjesë e madhe e tifozëve e kuptojnë dhe e mbështesin këtë zgjedhje, duke e parë si një akt që reflekton ndjenjën e përbashkët kombëtare dhe mundësinë për të luajtur në një ekip me traditë më të gjatë dhe më shumë mundësi në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ka edhe kritika nga tifozët dhe disa figura publike në Kosovë, të cilët dëshirojnë që lojtarët e talentuar të kontribuojnë për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke e parë largimin e tyre si një humbje për kombëtaren kosovare”, tha ai për TV ARBËRIA.

Kurse i pyetur rreth trajtimit të lojtarëve të rinjë nga Federata e Futbollit të Kosovës, Jashari tha se infrastruktura, programet e zhvillimit dhe mbështetja për lojtarët e rinj shpesh konsiderohen si të pamjaftueshme. Teksa theksoi se përmirësimi i kushteve dhe investimi do të ishte hap i rëndësishëm për të mbajtur dhe zhvilluar talentët vendas.

“Sa i përket trajtimit të lojtarëve të rinj nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), situata është e përzier. FFK ka bërë përpjekje për të zhvilluar futbollin e të rinjve dhe për të afruar talentet nga Kosova dhe diaspora, por ka edhe kritika për menaxhimin dhe mungesën e një strategjie afatgjatë. Infrastruktura, programet e zhvillimit dhe mbështetja për lojtarët e rinj shpesh konsiderohen si të pamjaftueshme krahasuar me vendet e tjera, gjë që e bën më të lehtë për lojtarët e talentuar të zgjedhin Shqipërinë ose të ndjekin karrierën jashtë Kosovës. Përmirësimi i kushteve dhe investimi në futbollin e të rinjve do të ishte një hap i rëndësishëm për të mbajtur dhe zhvilluar talentët vendas”, shtoi ai.

Ndryshe, ditë më parë Taulant Hodaj ushtrues detyre i sekretarit të FFK-së dhe shef i zyrës ligjore të saj, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook kishte njoftuar me dorëheqjen e tij nga shtëpia e futbollit, duke dhënë një dozë kritike për FFK-në. 

Hodaj, ia përmendi Ademit kërcënimet në kombëtare, presionet ndaj lojtarëve të kombëtares dhe humbjen e shumë lojtarëve nga keqmenaxhimi!

Kujtojmë që më herët, edhe futbollistët: Ardian Ismajli, Arbnor Muja, Mirlind Daku dhe Ermir Rashica që kanë qenë pjesë e Kosovës, kanë kaluar te Shqipëria./E.Salihu./TV ARBËRIA./