Deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj, ka reaguar pas konferencës së mbajtur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi për humbjen e mostrave të gjakut të Astrit Deharit.
Kadrijaj ka thënë se të gjitha kauzat e VV-së, duke përfshirë edhe rastin Dehari, kanë qenë propagandë vetëm për të ardhur në pushtet.
“Papërgjegjësia e kësaj Qeverie po i kushton Republikës. Kauzat e VV-së në emër të Deharit, sot treguan që kanë qenë propagandë dhe mjet për të arsyetuar ardhjen në pushtet. Ministria e Drejtësisë edhe sot zgjodhi konferencat inepte për të na shitur mjegull dhe për të shfrytëzuar tragjeditë”.
Kadrijaj akuzoi pushtetin se nuk kanë ndërmarrë asgjë lidhur me zbardhjen e rastit të Astrit Dehari.
“Asnjë hap, asnjë veprim, asnjë gjë konkrete nuk bënë që ta mbajnë premtimin për Astritin. Vetëm zhurmë e fajësime për dramë politike mbi tragjedinë e Astritit. Tash kanë zgjedhur që edhe njëherë të jehojnë paaftësinë e tyre duke kërkuar fajtor për shfajësim. Ndjehemi të shkelur ne dinjitet, aq sa ndjehet çdo aktivist që ka luftu drejt për këtë çështje. Mbrëmë u shkel Astriti, edhe njëherë”, ka shkruar Kadrijaj në Facebook.
/TV Arbëria