Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese si dhe profesori universitar Kadri Kryeziu nëpërmjet një statusi social në rrjetin e tij Facebook përsëri i ka paralajmëruar anëtarët aktualë të këtij institucioni, që të kenë kujdes për mënyrën se si do të vendosin lindur me kërkesën e Listës Serbe që të kenë nënkryetarin e Kuvendit nga kjo parti.
Kryeziu ka rikujtuar se “Gjykata Kushtetuese vërtet është instanca e fundit gjyqësore dhe vendimet e saj nuk mund të apelohen, por kjo nuk do të thotë që kjo Gjykatë ka të drejtë të nxjerr vendime të paligjshme, vendime që i cenojnë rëndë parimet themelore të shtetit.
Populli i Kosovës është sovrani i vetëm në këtë Republikë, prej kujt burojnë të gjitha kompetencat dhe autorizimet, përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk qëndron dhe nuk mund të qëndrojë mbi popullin e Kosovës, mbi vullnetin dhe aspiratat e tij. Populli i Kosovës është instanca e fundit për gjithçka, prandaj kujdes nga gjykimi dhe dënimi i popullit”.