Ish-drejtori i televizionit publik, Festim Kabashi, ka reagaur pas vendimit arbitrar të menaxhmentit të RTK-së, për t’i larguar nga drejtimi i magazinave përkatëse gjashtë gazetarë, të cilët në intervistat e tyre kishin sfiduar zyrtarë të pushtetit në detyrë.
Kabashi ka thënë se vendimi u mor ditën kur u ekzekutuanpagat dhe se kjo sipas tij po tingëllon si kompromis në këmbim të mbështetjes financiare për RTK-në.
“Përndryshe si mund të spjegohet vendimi i një kyeredaktori ose drejori të televizionit, për largimin nga ekrani të figurave ndër më me ndikim në programet e RTK-së?”, ka shkruar Kabashi.
E plotë:
Një vendim i paprecedent në RTK!
Pas një vendimi të udhëheqësisë aktuale të RTK-së, janë përjashtuar nga ekrani disa prej figurave më profesionale dhe të dalluara të informacionit: Meneta Zekaj Nushi, Blerta Foniqi Kabashi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami.
Vendimi duket si censurë e hapur ndaj gazetarëve që kanë guxuar të bëjnë pyetje, të raportojnë me integritet dhe të kërkojnë të drejtat e tyre – përfshirë rastin e vonesës së pagave për më shumë se 20 ditë, si dhe intervistat e fundit që shpërfaqën arrogancën dhe papërgjegjësinë e disa pushtetarëve në lidhje me dyshimet për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të parasë publike.
Aq më shqetësues është fakti se ditën kur më në fund u ekzekutuan pagat, erdhi edhe njoftimi për largimin e tyre nga ekrani – një koincidencë që po tingëllon si kompromis në këmbim të mbështetjes financiare për RTK-në.😳
Përndryshe si mund të spjegohet vendimi i një kyeredaktori ose drejori të televizionit, për largimin nga ekrani të figurave ndër më me ndikim në programet e RTK-së?