Juventusi rrezikon të përjashtohet nga garat evropiane për të paktën një vit për shkak të problemeve ligjore në lidhje me mashtrimet financiare të viteve të fundit.
“La Repubblica” raporton në detaje se si zyra e prokurorit publik të Federatës së Futbollit në Itali është gati të kërkojë zgjatjen edhe për 40-ditë të tjera për hetimin e tyre ndaj Juventusit. Në qendër të vëmendjes janë marrëveshjet sekrete të klubit për pagat e lojtarëve dhe inflacioni i vlerave të transferimit të lojtarëve për të falsifikuar fitimet kapitale, të cilat mund të shkrihen në një çështje të vetme për gjyqin sportiv.
Drejtori i ri ekzekutiv i Juventusit, Maurizio Scanavino, tashmë është takuar me presidentin e FIGC, Gabriel e Gravina, i cili tani po pret të takojë presidentin e ri Gianluca Ferrero. Nesër do të zhvillohet asambleja e Lega Serie A, ku do të diskutohet për këtë temë.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet sot pasdite në selinë e tyre në Nyon të Zvicrës. Trupi i futbollit do të marrë masa ndaj Juventusit vetëm në përfundim të provave sportive në Itali, duke reaguar ndaj vendimeve përfundimtare.
Nëse akuzat dalin të vërteta, “Zonja e Vjetër” mund të përjashtohet nga kompeticionet evropiane për të paktën një vit.
/TV Arbëria