Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se situata aktuale në Kosovë është shumë e rëndë për punëtorët e sektorit privat, duke theksuar se shumë kompani janë detyruar të hyjnë në kredi për t’i paguar pagat e punëtorëve për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja.
“Faktikisht të themi se dallgët e lëvizjet që kemi brenda Kosovës po del që kjo pozitë në shumicën e rasteve jo që mund të lëvizim në aspekt pozitiv, por kthehemi edhe mbrapa. Normal që edhe në këtë aspekte ka lëvizje, por megjithatë ne duhet të flasim për ato që jena të brengosur sot për shkak të mos konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës,” ka deklaruar Azemi në emisionin “N’Pult” në TV Arbëria.
Ai ka thënë se mbi 10 mijë punëtorë në nivel vendi nuk i kanë marrë pagat, ndërsa shumë kompani që kryejnë shërbime për institucionet komunale dhe shtetërore janë futur në kredi për të mbuluar pagesat.
“Kemi mbi 10 mijë punëtorë në nivel të Kosovës, ku pagat e tyre nuk i kanë marrë dhe me këto veprime qeveria e Kosovës dhe parlamenti i Kosovës, shumë kompani i kanë obliguar që të hyjnë në kredi që të kryejnë pagat për punëtorë e sektorit privat, po flasim për ato kompani që kryejnë shërbimet për institucionet komunale dhe shtetërore”, është shprehur ai.
Sipas Azemit, situata është e rëndë edhe në Komunën e Prishtinës, ku punëtorët teknikë dhe ata të qendrave familjare nuk kanë marrë pagat prej muajsh.
“Po flasim për komunën e Prishtinës, kemi punëtorë të qendrës familjare që ka tre muaj që nuk i ka derdhura paratë komuna tek kompania private. Kemi punëtorë tenik që nëpër shumë shkolla dhe në vetë kuvendin komunal të Prishtinës, punëtorët nuk i kanë marrë pagat që pothuajse tre muaj”, ka theksuar Azemi.
Ai ka falënderuar kompanitë private që kanë treguar vullnet duke hyrë në kredi për të paguar punëtorët.
“Tani mund të themi se është koha që t’i falenderojmë kompanitë private që kanë hyrë në kredi për t’i paguar pagat e punëtorëve dhe me një vullnet dhe dëshirë që pagat e tyre të paguhen nga operatori”, ka shtuar ai.
Azemi ka theksuar se ky është “viti më i dhimbshëm që nga periudha e pasluftës”, duke bërë të ditur se nga janari deri në fund të nëntorit janë regjistruar 29 raste të vdekjes në vendin e punës.
“Unë kam thënë që nëse vetëm edhe një punëtor vdes në vendin e punës është shumë e rëndë. Megjithatë, që nga janari der në fund të nëntorit kemi 29 raste të vdekjes në vendin e punës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, institucionet nuk kanë bërë as hapin më të vogël për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Më e rënda nga kjo që mund të them është që institucionet tona nuk e kanë bërë as hapin më të vogël lidhur me përmirësimin e kushteve të këtyre punëtorvë në vendin e punës”, ka theksuar Azemi.
Ai ka bërë të ditur se në një takim me kryeinspektorin është kërkuar që sindikata të mos publikojë shifrat e veta për rastet e vdekjeve, pasi nuk përputhen me ato të inspektoratit.
“Dje në një takim me kryeinspektorin doli një kërkesë nga ky kryeinspektor që ne mos të dalim me shifrat tona që i japim sepse nuk po korrospodojnë me shifrat që po i japin inspektoriati. Derisa, inspektoriati për këtë vitë, ata kanë vetëm 15 raste të rasteve të vdekjes së punës, ndërsa ne kemi 29, dhe kërkesë e tij ishte që të kordinohen shifrat, por si mund të kordinohen, kur ne kemi të dhëna të sakta”, ka përfunduar Azemi.