Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një arritje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Por fakti që ajo nuk është nënshkruar dhe retorika e udhëheqësve të dy vendeve që nuk kanë shfaqur në thelb ndonjë ndryshim qëndrimesh për çështjet më të mprehta, kanë krijuar paqartësi lidhur me ecurinë e mëtejshme.
Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se marrëveshja për rrugën e normalizimit është sa kritike ashtu edhe e brishtë dhe për këtë arsye ajo kërkon gjithë mbështetjen e mundshme.
“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Ai tha se është gabim i madh të thuhet se në fund të fundit vendimi u takon udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.
“Dhe unë jam vërtet i zhgënjyer kur dëgjoj zyrtarë shumë të mprehtë dhe të aftë si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të përdorin këtë retorikë standarde, që takon palëve, është në dorën e palëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Kjo marrëveshje quhet propozim i BE-së dhe aty ka detyrime për BE-në dhe SHBA e ka nxitur atë. Nuk duhet të ketë një retorikë të tillë”.
Joseph thotë se Perëndimi duhet gjithashtu që të veprojë me vendosmëri për t’u dhënë fund mëdyshjeve nëse marrëveshja është e detyrueshme ose jo.
Ai thotë se në këtë mënyrë eliminohen hijet e dyshimit për respektimin e detyrimeve nga të gjitha palët dhe përveç kësaj, do të ishte një sinjal inkurajimi për Kosovën.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova ka hapin e parë, hapin e madh, një hap vendimtar për të marrë dhe që siç e kam thënë është në fakt i parakohshëm, por është një detyrim dhe ky është formimi i këtij vetëmenaxhimi apo Asociacioni, siç është quajtur me të dyja emërimet. Pra, është shumë e rëndësishme t’i jepet besim dhe një shtysë Kosovës e cila ka obligimet e para”.
“Sugjerimi im për t’u dhënë atyre një shtysë është që Ukraina duhet ta njohë Kosovën dhe kjo do ta transformojë të gjithë çështjen”, thotë ai.
Ndërsa presidenti Vuçiq që i jep përparësi Asociacionit, kryeministri Kurti ka thënë se urgjencë e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.
Mbi një mjë 600 vetë rezultojnë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Edhe pse diplomacia perëndimore po e përqendron vëmendjen tek e ardhmja e marrëdhënieve, vetëm disa ditë më parë përvjetori i fushatës së NATO-s, ringjalli kujtime të ndryshme për dy vendet.
Joseph thotë se shumë diplomatëve që shkojnë në rajon u pëlqen të thonë shprehjen “mos mendoni për të kaluarën, thjesht shikoni të ardhmen”, por shton se kjo është diçka shumë jorealiste.
Ai merr shkak për komentet e tij nga një shprehje e ngushëllimeve e ambasadorit amerikan në Beograd Chris Hill, për viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s, çka nga ana njerëzore siç thotë ai, është e kuptueshme.
“Ambasadori Hill përdori saktësisht të njëjtat fjalë që përdori Joe Biden kur ishte nënpresident kur shkoi në Beograd në vitin 2016. Pse është ky një problem? Sepse shtatë vjet më vonë shohim që fjalët e nënpresidentit Biden nuk patën asnjë ndikim në Serbi. Thjesht Vuçiq dhe të tjerët thanë ‘faleminderit shumë, ne jemi viktimat’”, tha ai.