Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Johnson kushtëzon miratimin e buxhetit me legjislacionin e provës së shtetësisë amerikane për votuesit

Johnson kushtëzon miratimin e buxhetit me legjislacionin e provës së shtetësisë amerikane për votuesit

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u zotua të martën se do ta kushtëzojë miratimin e buxhetit me miratimin e një legjislacioni që kërkon provën e shtetësisë për votuesit amerikanë. Më 1 tetor fillon viti i ri fiskal, dhe miratimi i masës buxhetore do të shmangte mbylljen e pjesshme të qeverisë. Sidoqoftë, masa e kërkuar nga republikani Johnson nuk duket se do të marrë mbështetjen e duhur.

Demokratët e kundërshtojnë fuqishëm masën e propozuar. Po ashtu, një pjesë e republikanëve janë shprehur kundër propozimit, por për arsye të ndryshme dhe kjo ka zbehur perspektivën e miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Edhe nëse masa do të miratohej nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati amerikan i kontrolluar nga demokratët nuk ka gjasa ta marrë në shqyrtim.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve tha se siguria zgjedhore është një çështje shumë jetike për ta injoruar, pavarësisht se hulumtimet flasin për raste të rralla të votimit nga ata që nuk janë shtetas amerikanë.

Sidoqoftë, duket qartë se republikanët duan që vota e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve të nxjerrë në pah qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi në korrik një projektligj që kërkon provën e shtetësisë amerikane.

“Nëse keni disa mijëra emigrantë të paligjshëm që marrin pjesë në zgjedhje në vendin e gabuar, mund të ndryshohet përbërja e Kongresit dhe mund të ndikohet në zgjedhjet presidenciale”, tha zoti Johnson. “Populli amerikan e kupton këtë”.

Prova e parë për miratimin e një mase buxhetore do të zhvillohet të martën përmes një votimi procedural. Nëse miratohen procedurat, votimi përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve do të mbahet të mërkurën.

Masa parashikon vazhdimin e financimit të buxhetit për një periudhë gjashtëmujore deri më 28 mars.

Por demokratët duan një afat më të shkurtër, në mënyrë që Kongresi aktual të përcaktojë shpenzimet për vitin fiskal 2025, në vend të Kongresit dhe presidentit që do të përcaktohet nga zgjedhjet e nëntorit.

Demokratët duan gjithashtu që prova për nënshtetësinë amerikane të hiqet nga projektligji për buxhetin, duke argumentuar se është e panevojshme pasi shtetet kanë masa mbrojtëse efikase për të verifikuar të drejtën e individëve për të votuar dhe listat e sakta të votuesve.

“A është për t’u habitur që propozimi i njëanshëm buxhetor i zotit Johnson po has telashe”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Churck Schumer. “Përgjigja është shumë e thjeshtë. Dhoma e Përfaqësuesve nuk duhet të humbasë kohë për një propozim që nuk mund të miratohet”.

Senatori Schumer i bëri thirrje ligjvënësit Johnson që të konsultohej me udhëheqjen demokrate dhe Shtëpinë e Bardhë për të dalë me një propozim dypartiak që mund të marrë aprovimin e të dy dhomave të Kongresit.

Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë dalë gjithashtu kundër projektligjit, ndërsa të tjerë kanë thënë se nuk do të votojnë për ndonjë masë që e zgjat buxhetin aktual edhe për disa muaj të tjerë.

Ata duan që Kongresi t’i kthehet metodës së miratimit të zërave buxhetor një nga një. Të tjerë thonë se zgjatja e buxhetit aktual financon programe të cilat janë të papërshtatshme në një kohë që vendi ka një deficit vjetor prej 2 trilionë dollarësh.

“Duhet t’i ndalojmë shpenzimet në një nivel që është i papërballueshëm për popullin amerikan”, tha ligjvënësi republikan Cory Mills i cili përfaqëson Floridën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se projektpropozimi nuk do të marrë votat e duhura.

Republikani i shtetit Tenesi, Tim Burchett, tha se atij po i kërkohet të votojë për atë që ai e quan “buxheti i Pelosit dhe Schumer-it”. “Kjo është një ide e keqe”, tha zoti Burchett. /VOA

Powered by WordPress