John Alite ka reaguar publikisht lidhur me incidentin e fundit që përfshin Sami Lushtakun, duke e cilësuar atë si një moment që duhet të shërbejë si “thirrje zgjimi” për Kosovën.
Në reagimin e tij, Alite i ka bërë thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj personave që, sipas tij, ofendojnë, etiketojnë në mënyrë të rreme apo sulmojnë veteranët e UÇK-së duke i quajtur “tradhtarë”, “spiunë” apo “armiq të Kosovës”.
Ai theksoi se etiketimi i një veterani si “spiun i Serbisë” pa prova nuk është vetëm fyerje ndaj një individi, por edhe ndaj sakrificës së të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
“Mjaft qytetarë besojnë se ekzistojnë përpjekje të organizuara dhe propagandë që synojnë të dëmtojnë imazhin e veteranëve dhe të krijojnë përçarje mes njerëzve. Sot mund të jetë Sami Lushtaku, nesër mund të jetë dikush tjetër. Kjo nuk duhet të tolerohet”, thuhet në reagimin e Alites.
Më tej, ai u ka bërë thirrje ish-ushtarëve të UÇK-së, mbështetësve dhe qytetarëve që respektojnë sakrificën për Kosovën, që të qëndrojnë të bashkuar në mënyrë paqësore dhe të kërkojnë mbrojtje më të fortë ligjore kundër shpifjeve dhe sulmeve ndaj veteranëve të luftës.
“Nuk kemi nevojë vetëm për përgjegjësi, por edhe për respekt dhe mbrojtje të dinjitetit të atyre që rrezikuan gjithçka për Kosovën”, përfundon reagimi.