Kanë vazhduar reagimet publike ndaj urdhrit të djeshëm të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për Agjencionin Kadastral, në lidhje me regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit.
Analisti dhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në emisionin debat plus, e ka quajtur jo kredibil kryeministrin Kurti, kualifikim ky që nuk nënkupton se do jetë jo popullor. “nëse nesër Kurti del e thotë ky është vendimi i Kosovës, nuk mund t’i besojmë më, sepse ne thojmë e ndërron edhe këtë siç i ka ndërruar edhe të tjerat”, ka pohuar ndër të tjera Ymeri.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se “cilindo vendim, pa asnjë përjashtim të vetëm, Kryeministri pas rezistencës “heroike”, të cilën e sforcon çdo herë me propagandë, e pranon kompromisin veç kur është në pyetje presioni ndaj pushtetit të tij. Rezistent deri sa s’po i vjen puna te puna. Ky s’ka lidhje me parulla të arsyjes së kulluar e të shëndoshë. Për Kryeministrin rol nuk luan as arsyeja dhe as përmasat e dëmeve që i krijon, përderisa ai për vete të mbetet ai që pretendon që është. Në të vërtetë rezistenca e Kryeministrit gjithmonë është e përkohshme dhe për fund në lidhje të shkurtrër. Kurzschluss, e jo Rezistencë”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj.
Reagime kritike kanë ardhur edhe nga komuna e Deçanit, komunë kjo, ku edhe zhvillohet ky kontest juridik dhe politik. “Ditë zie për Kosovën” e ka quajtur këtë vendim, Shkodran Imeraj, nga shoqata e historianëve Ali Hadri. Jemi të befasuar dhe shumë të shqetësuar me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 24 hektar tokë afër manastirit të Deçanit. Zbatimi i vendimit të Gjykatës është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2008”, ka deklaruar ndër të tjera Imeraj.
Por i ashpër ndaj këtij vendimi ka qene analisti politik nga Amerika dhe ish- mbështetësi i Albin Kurtit, Bleron Baraliu. Në një postim në rrjetin e tij social ai sjelljen e Albin Kurtit e ka quajtur të ngjashëm me atë të Ali Shukrisë, Rhaman Morinës etj. “gjenerata e gjenerata do të na mallkojnë votën që ia kemi dhënë këtij imbecili politik! Gjaku i Adem Jasharit e mijëra dëshmorëve na mallkon sot! Kosova duhet të shkojë në zgjedhje një çast e më parë, dhe populli t’ia tregoj vendin këtij hipokriti injorant siç ia ka pas treguar jugosllavistëve të para luftës e neo-vasalistëve të pasluftës. Në të kundërtën, le ta mbajmë në supe vulën e poshtërimit e tradhëtisë, damkën e qyqarllëkut e dështimit”, ka shkruar ndër të tjera Baraliu.
/TV Arbëria