Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Leotrim Krasniqi, ka kërkuar sot lirimin nga detyra.
Krasniqi ka thënë se ky vendim vjen si rezultat i disa arsyeve personale dhe profesionale për avancim në karrierë, të cilat ka thënë se e bëjnë të pamundur zhvillimin e detyrës në këtë pozitë.
“Gjatë kësaj periudhe afër tri vjeçare kam punuar me nder dhe përkushtim maksimal për të çuar përpara projektet dhe prioritetet që ndikojnë në zhvillimin e qytetit tonë dhe përmirësimin e jetës për qytetarët. Jam krenar për punën dhe për rezultatet e arritura gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Krasniqi.
Në fund ka thënë se edhe pse nuk do të jetë më në këtë pozitë, mbetet i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të kontribuar në mënyra të tjera në zhvillimin e qytetit.
“Faleminderit për besimin dhe për mundësinë që pata të kontribuoj në këtë detyrë”, thuhet në postimin e tij.
Ndryshe, ky është drejtori i dytë i kësaj drejtorie që bën kërkesë për lirim nga detyra. Ish-drejtori Bujar Hasani, më 23 nëntor 2021, kishte thënë se në konsultim me Kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin, ka përfunduar detyrën në krye të kësaj drejtorie.
“Më lejoni që përmes këtij shkrimi, në konsultim me Kryetarin Bulliqi, të ju njoftoj se nga sot kam përfunduar detyrën time në krye të Drejtorisë së Urbanizmit. Duke uruar punë të mbarë e suksese në mandatin e ri, Institucionit të Komunës i shpreh gatishmërinë time vullnetare që të jap këshilla profesionale në fushën e urbanizmit, kurdo që është e nevojshme në shërbim të qytetarëve llapjanë”, kishte shkruar ai në Facebook.