Në pak më pak se një vit, Vincenzo Montella ka arritur të krijojë një ekip ‘të ri’ në Kombëtaren e Turqisë, që ishte sensacion në Euro 2024.
Nga zhgënjimi i rënies në fazën e grupeve në Euro 2020 apo mos shkuarja në Katar 2022, tek arritja pothuajse në gjysmëfinale të turneut në Euro 2024, italiani ndryshoi shumë gjëra.
Ai ka folur pas eliminimit ndaj Holandës, duke thënë se vendet neutrale filluan të bënin tifo për Turqinë.
“Meqë ishim ekipi më i ri në turne, nuk mundëm të përfitonim nga përvoja. Mund t’i kishim menaxhuar ato momente më mirë. Të gjitha vendet neutrale filluan të na simpatizojnë për shkak të identitetit tonë të lojës”.
“Në shtator është Liga e Kombeve dhe më pas kualifikueset e Botërorit. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Duhet të jemi krenarë. Mund të kishim bërë më shumë, ishim shumë afër, por fatkeqësisht ky është futbolli. Mendoj se jemi ndër pesë skuadrat më të mira në Evropë”, deklaroi Montella.