Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Java e “zgjimit” botëror të drejtësisë ndërkombëtare

Java e “zgjimit” botëror të drejtësisë ndërkombëtare

Shkruan: Afrim Kasolli

Asnjëherë më shumë kohët e fundit se këtë javë, bota nuk ka qenë më aktive për të parandaluar praktikat e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Në një përpjekje për ta kuptimësuar sloganin e njohur të pas Luftës së Dytë Botërore “never again” i cili kishte lindur si reagim ndaj tmerreve naziste kundër hebrenjve, u lindën një sërë institucionesh globale me synim aplikimin e parimeve të drejtësisë universale . Natyrisht, këta mekanizma jo gjithherë kanë qene efektive. Rastet e dështimit të tyre janë të panumërta. Kështu, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare Penale, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë etj etj, janë vetëm disa prej tyre. Dhe janë pikërisht vendimet e këtyre të fundit që kanë bërë bujë këtë javë.

Fillimisht, Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka kërkuar lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit – grupit radikal të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Sipas, Karim Khan, Netanyahu dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinëar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael. Nuk ka dyshim, se ky vendim është një goditje e madhe për shtetin e Izraelit në një kohë kur ndodhet në kulmin e luftës kundër Hamasit. Autoritetet e Izraelit kanë deklaruar se nuk do ta njohin këtë vendim dhe se nuk do ta ndalen deri në lirimin e të gjitha pengjeve të rrëmbyera dhe një fitore totale mbi grupin e Hamasit në Rripin e Gazës.
Intervenimi tokësor i Forcave Mbrojtëse Izraelit në këtë enklavë u pasua pas sulmit të militantëve të Hamasit mbi shtetin e Izraelit, me 7 tetor të vitit të kaluar, ku u vranë 1200 qytetarë dhe u kidnapuan më rreth 250 të tjerë. Mirëpo, numri i madh i viktimave në mesin e popullsisë civile e ka alarmuar opinionin ndërkombëtar.

Po ashtu, ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden deklaroi se “ne nuk e njohim juridiksionin e ICC-së siç po ushtrohet në këtë rast dhe ne nuk mendojmë se ka një paralelizëm mes asaj që bëri Izraeli dhe asaj që bëri Hamasi”. Kurse, shtete si Norvegjia kanë deklaruar se ata do ta arrestonin Benjamin Natanjhun, nëse ka një flet arrest nga ky trup gjykues. Kurse këtu duhet kujtuar se i njëjti institucion në mars të vitit 2023 kishte lëshuar një urdhër arrest edhe për presidentin e Rusisë për shkak të luftës në Ukrainëë.
Ndërkohë, pa kaluar pak ditë nga ky zhvillim, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë mbi gjenocidin në Srbernicë. Ky dokument e shpall 11 korrikun si “Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave e të Gjenocidit në Srbernicë, si dhe e dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e krimineleve të luftë”. Rezoluta ishte propozuar fillimisht nga Gjermania dhe Ruanda, por më pas u mbështet edhe nga më shumë shtete tjera.

Edhe pse rezoluta e miratuar në OKB, nuk e nënvizon askund përgjegjësinë e kombit apo shtetit serb, madje as Republikën Serbe në Bosnje si përgjegjëse e këtij gjenocidi, megjithatë ajo, duke u bazuar edhe në vendimet e mëhershme gjyqësore mëton ta memorizojë në nivel ndërkombëtar nderimin dhe përkujtimin ndaj viktimave të pafajshme ta asaj ngjarje . Pra qëllimi i saj themelor është edukimi i brezave të rinj për atë që ka ndodhur dhe ndërgjegjësimi mbi parandalimin me çdo kusht të akteve të tilla makabre. Kurse politika zyrtare e Beogradit e ka qujtuar miratimin e kësaj rezolute si një tentim të shtetit gjerman për ta ekspozuar kombin serb si “komb gjenocidial”. Po ashtu, kultivimit të këtij manipulimi i ka kontribuar edhe fushata e mediave të lidhura me pushtetin e Vuciqit. Në këtë ndërmarrje për të mbrojtur gjenocidin, politika serbe po ashtu ka gjetur edhe bekimin hyjnor nga Kishës Ortodokse Serbe.

Ndërkohë,me qëllim që të shmanget çdo katastrofë e mundshme humanitare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), dje mori një vendim tjetër, në raport me shtetin e Izraelit. Kjo gjykatë urdhëroi këtë shtet që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës. Natyrisht edhe këtë vendim Qeveria e shtetit të Izraelit ka deklaruar se do ta shpërfill. Mirëpo, dy prej mbështetëseve të saj kryesore SHBA-të dhe Britania e Madhe, gjithnjë e më shumë janë duke kërkuar një plan konkret humanitar para këtij intervenimi.

Sidoqoftë, këto zhvillime kanë treguar më shumë se asgjë tjetër mbi hendekun që ekziston sot e kësaj dite ndërmjet interesave të veçanta të shteteve dhe së drejtës ndërkombëtare. Dhe në këtë mënyrë, ka gjasa, që në një botë që po polarizohet gjithnjë e shumë kjo humnerë vetëm sa do të thellohet, ku në vend të një rendi konstitucional ndërkombëtar kantian, njerëzimi të zhytet gjithnjë e më tepër në vorbullën e botës hobsbiane të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve. /TV Arbëria

Powered by WordPress