Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Java e lëvizjes si javë e monologut të vetmadhërimit

Java e lëvizjes si javë e monologut të vetmadhërimit

Shkruan Besa Ismaili

Albin Kurti, politikani arrogant dhe cinik, i cili për dy-tri javë kaloi nëpër një thyerje të egos, në darkën që ftoi PDK-në, pati një javë për të ushqyer nevojat e tij për t’u krekosur dhe vetmadhëruar, në Javën e Lëvizjes.

Natysht, nuk do të gjente një vend më të përshtatshëm për rimbushje sesa para masës në partinë e tij, para pasuesve të tij. Sepse aty nuk ka asnjë opozitë, asnjë mendim kritik, asnjë ide të re politike dhe asnjë zë që e sfidon.

Në mungesë të zërave alternative, demokracisë së brendshme dhe opozitës brenda partiake ai u kënaqë duke ngacmuar dhe tallur opozitën parlamentare, duke nënçmuar idetë e tyre dhe duke hedhur poshtë argumentet e tyre. Gjëra që nuk i bën dot kur i takon direkt, aq më pak kur shtrinë qafen në tavolinë restorani për t’i përgjëruar për ndihmë për të kryer punët që ia kishin besuar paraprakisht qytetarët atij, dhe të cilët ai i dështoi. Natyrisht, aty nuk pati asnjë ofertë të re dhe vizion për qeverisje të mirë.

Taktikat e tij dinake për të manovruar dhe mposhtur ata që guxojnë t’a sfidojnë i dhezin vetëm në partinë e tij.

Albinit tash i mbetet vetëm t’i shkruaj ato në një libër, biografi e shkurtër, siç ka bërë edhe Stalini, dhe ato t’i mbeten për lexim në histori gjeneratave të ardhshme.

Si edhe në vetrrëfimet e Stalinit, edhe Albini u vetmadhërua pikërisht në ato pika ku ndjen pasigurinë më të madhe dhe rrezikun e rrëshqitjes së pushtetit tij – tek opozita parlamentare, respektivisht tek Partia Demokratike e Kosovës.

E për të tjerat pika të tij të diskutimit, siç e thotë populli: fshati që duket kallauz nuk do.

Albin Kurti u pa i dëshpëruar për të ruajtur kontrollin e tij mbi pushtetin, por edhe i vendosur për të mos zgjedhur mjete,(siç nuk zgjodhi asnjëherë kur është në pyetje pushteti) për të ç’montuar dhe shtypur çdo kërcënim ndaj mbretërimit të tij në pushtet.

Është pikërisht ky vetmadhërim që paralajmëron për fillimin e rënies së tij epike. Fuqia e tij politike po rënohet përballë arrogancës, mendjemadhësisë dhe ngathtësisë së tij qeverisëse karshi nevojave të qytetarëve.

Përpara se të shpotiste opozitën për ‘shtyerjen pafundsisht të zgjedhjeve’, Albin Kurti dhe audienca e tij kukullë do të duhej të kujtoheshin se Albin Kurti nuk do të qëndrojë në pushtet pafundsisht, dhe as mashtrime e tij nuk do të mbijetojnë pafundësisht.

Themes by WordPress