Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Java e dytë e fushatës zgjedhore: PDK premton 50% rritje të pagave

Java e dytë e fushatës zgjedhore: PDK premton 50% rritje të pagave

Kanë kaluar tashmë dy javë që kur ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit nga partitë politike në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin për kryeministër Bedri Hamzën, këtë javë ka mbajtur një sërë tubimesh në qytete të ndryshme, duke e shpalosur programin e saj qeverisës.

Hamza javën e filloi me tubime në Dragash, duke vazhduar më pas edhe në Prizren.

“Gjithçka bëhet e mundshme kur bashkohemi. Edhe Kosova mundet më mirë. Edhe fitorja jonë po vjen, sepse jemi të bashkuar!

Vendosmëria e Zhurit, Hasit, Piranës dhe Hoçës së Prizrenit për #MaMirë është e madhe”, ka shkruar Hamza pas tubimit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër këtë javë ka shpalosur edhe disa zotime të tij, ato janë:

1. Subvencionim me nga 100 euro në muaj për familjet që i regjistrojnë fëmijët në çerdhet private.

2. Arsim: 25 milionë euro në vit për fondin shtetëror të bursave.

3. Programe të veçanta kundër bullizmit dhe dhunës në shkolla.

Hamza tubimet i vazhdoi në Suharekë, ku nga atje tha:

“Një tubim me plot entuziazëm në Suharekë. Me plot energji dhe shpresë për Kosovën që mundet ma mirë. Ne ofrojmë zgjidhje, jo arsyetime! Kosova mundet ma mirë do të thotë më shumë zhvillim e më pak tatime, më shumë të ardhura për secilin, shëndetësi më të mirë, arsim modern dhe jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Hamza premtime dha edhe për bizneset:

“Pas 9 shkurtit është koha për një Kosovë ma të mirë, ku prej bizneseve të vogla familjare që mezi po mbijetojnë e deri te korporatat e mëdha që eksportojnë prodhimet “Made in Kosova”, do ta gëzojnë mbështetjen time të plotë si kryeministër”, tha ai.

PDK-ja pati një tubim masiv edhe në Shtime, ku Hamza u shoqërua nga ambasadori William Walker.

Nga atje, Hamza premtoi rritje të pagave 50% dhe të pensioneve bazike 70%.

Kandidati i PDK-së për kryeministër nga Mitrovica bëri premtime edhe për fuqizimin e gruas:

“Unë besoj në një Kosovë, ku gratë janë të lira t’i ndjekin ëndrrat e tyre. Ditë më parë në Mitrovicë, sot në Ferizaj e nesër kudo që të jem, përkushtimi im është i palëkundur për t’i mbështetur, fuqizuar dhe mbrojtur vajzat dhe gratë gjithandej Kosovës”, tha Hamza.

PDK-ja gjatë javës ishte edhe në Kamenicë, Prishtinë e në disa vende të tjera. /TV Arbëria