Vështrim nga TV Arbëria
Në fillim të kësaj jave kryeministri Kurti e bëri të ditur se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës është i kushtëzuar me dërgimin të paktën në Gjykatën Kushtetuese, të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Me këtë rast, ai deklaroi se nuk mund ta pranojë një shantazh të tillë politik dhe diplomatik, pasi sipas tij “Strasburgu nuk është Bruksel”, duke aluduar kështu se procesi i dialogut mbi normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces krejt tjetër nga ai anëtarësimit në organizatën më të vjetër evropiane në mbrojte të drejtave të njeriut etj etj.
Me një gjuhë pak a shumë të ngjashme u shprehen edhe eksponentë tjerë të pushtetit. Shumica prej tyre tentuan t’i relativizojnë humbjet që i pëson Kosova nga ky mos-anëtarësim, por u fokusuan më tepër në karakterin qëndrestar të kryeministrit Kurti, për t’i rezistuar presioneve të jashtme politike dhe diplomatike. Se ai nuk bënë kompromise dhe nuk nënshtrohet. Një strategji kjo e qartë, për ta konvertuar në fitore të brendshme politike këtë humbje shtetërore.
Ndërkohë, në anën tjetër, shumica e diplomatëve të shteteve perëndimore u shprehen të befasuar se pse kryeministri Kurti u shfaqë i befasuar, për diçka që e ka qenë e ditur që nga fillimi. Çdo proces integrues në strukturat euroatlantike, sipas tyre, është i lidhur me progresin në implementimit të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe planin e zbatimit të dakorduar në Ohër. Dhe në këtë dokument thuhet qartë se “për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”.
Kurse pas përfundimit maratonik të këtij takimi, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se me këtë marrëveshje Serbia e njohu de facto Kosovën. Një vlerësim të tillë e kishte dhënë edhe kur e kishte prezantuar politikisht draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian. Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se me këtë dokument merr fund trashëgimia mos-njohëse e Serbisë mbi Kosovën dhe ruhet integriteti i shtetit, për ta shpallur atë vetëm tani si një “non paper”.
Sidoqoftë, strategjia e Kryeministrit Kurti që me anë të zvarritjes ta shmang ballafaqimin me “ditën e gjykimit final”, shënon një dështim të dyfishtë në politikën e jashtme shtetërore. Sepse nëse i pari i Qeverisë do të distancohej nga obligimet që dalin nga këto marrëveshje, për ta ndjekur një strategji tjetër të konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit, me arsyetimin mbi shkeljet e vazhdueshme që Serbia i ka bërë këtyre marrëveshjeve, ajo do të ishte tjetër gjë. Mirëpo, ai ka vepruar të kundërtën, ku pas çdo dhunimi që shteti serb i ka bërë neneve si të Marrëveshjes bazike të Brukselit, ashtu edhe asaj të Ohrit, Qeveria e Kosovës ka bërë lëshime të radhës. Rast tipik është pranimi i draft-statutit të Asociacionit vetëm pak ditë pas sulmit të grupeve paramilitare dhe terroriste nga Serbia.
Në këtë kontekst, obligimet e marra nga ana e tij në procesin e dialogut, janë shndërruar në detyrime të Kosovës. Dhe secila prej tyre qëndron në tavolinë. Ndërkohë, mos-zbatimi i tyre tash është shndërruar në përftim të brendshëm politik dhe në penalizëm shtetëror. Rast tipik është shmangia nga agjenda e Komitetit Ministror e Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës.
Mirëpo, mjerisht ky dështim nuk i zhbënë obligimet e Kosovës të marra në procesin e dialogut me Serbinë. Ai vetëm e vonon ose e rrezikon në tërësi, anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.