Shkruan: Afrim Kasolli
Ndonëse fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm ende nuk ka filluar zyrtarisht, megjithatë partitë politike ndodhen në kulmin e aktivitetit të tyre për ta “pushtuar” opinionin publik në lidhje me ofertën e tyre qeverisëse.
Mirëpo, ajo që ra në sy javën që shkoi ndërmjet tri partive më të mëdha parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte se kjo e fundit betejën elektorale këtë javë e kishte të fokusuar kryesisht në brenda shtetit në raport me dy të parat që më aktivitetin e tyre e patën më shumë të fokusuar në diasporë.
LDK e fillo javën me një tubim masiv në Prishtinë me moton “bëhu pjesë e ndryshimit” duke prezantuar si programimin e saj qeverisës ashtu edhe kandidatët për deputetë fillimisht në kryeqytet e më pastaj në Viti dhe Pejë. Aktiviteti i këtij formacioni politik në këtë javë ishte kryesisht i lidhur me qytetarët që jetojnë në Republikën e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme dhe që nuk e kanë shtetin vetëm vendqëndrim për pushim sezonal. Pra prezantim para atyre që mbi baza ditore i nënshtrohen politikave qeverisëse. Aktualisht kjo i ka krijuar një përpasrësi politike kësaj partie, sepse qytetarët e vendit kanë mundësi që të informohen më shumë si për ofertën e saj ashtu edhe për kandidatët e saj
Ndërkohë, pas përfundimit të Konventës Zgjedhore, kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, me përjashtim të pjesëmarrjes në një debat në emisonin Presing në T7 pjesën më të madhe të javës qëndroi në diasporë. Kështu, me të mbaruar Konventa, ai udhëtoi drejt Italisë, duke e zhvendosur aktivitetin elektoral në atë shtet, për të vazhduar në Gjermani në qytete, si Munich-u, Shtutgardi etj. Gjatë gjithë javës thuajse nuk kemi parë asnjë prezantim të programit qeverisës para atyre që do të zbatohet ky program nëse kjo parti i fiton zgjedhjet. Po ashtu ende nuk dihet asgjë për listën për deputetet të kësaj partie.
Ngjashëm ka vepruar edhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Kryeministri Kurti e ka zhvendosur fushatën e tij në kërkim të mandatit të ri qeverisës nëpër përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës nëpër shtetet perëndimore. Përpos aktiviteteve qeveritare dhe pjesëmarrjes në përkujtim të vdekjes së Astrit Deharit, shefi i Qeverisë së Kosovës, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e kaluan pjesën më të madhe të javës nga njëra kryeqendër evropiane në tjetrën në kërkim të gjahut të votave nga mërgata jonë në Perëndim. Madje ai dje dallua për promovimin e një ndarje të pazakontë politike dhe shoqërore, duke deklaruar në Frankfurt të Gjermanisë para studentëve me origjinë nga Kosova, që jetojnë në këtë shtet, se “patriotët më të devotshëm, por edhe punëtoret me të mëdhenj, por edhe studentët e punëtorët me të zotë i kemi në diasporë, por jo në Kosovë”. Duke e manifestuar kështu hapur shpërfilljen, cinizmin dhe përbuzjen ndaj atyre që kanë vendosur të mos e lënë djerrinë tokën, dhe të mos i shndërrojnë fshatrat edhe qytetet e Kosovës në fantazma./TV Arberia.