Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Xhelal Jashari, ka deklaruar se rritja e pagave prej 60 eurosh e miratuar së fundmi nga bordi i KEK-ut nuk i përmbush kërkesat e punëtorëve, por e ka vlerësuar atë si një reflektim pozitiv të menaxhmentit dhe bordit ndaj kërkesave sindikale.
Jashari tha se është miratuar edhe procesi për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, por theksoi se sindikata kishte kërkuar një rritje minimale prej 200 eurosh për secilin punëtor.
“Neve, kushtet për rrezikshmëri harrova ta ceki se është aprovuar edhe kjo, ka fituar një operator ekonomik, është duke u bërë vlerësimi i rrezikshmërisë, të riskut për secilin vend të punës, edhe aty shpresojmë që do të kryhet në afatin më optimal të mundshëm. Po ne kemi kërkuar atëherë minimumin 200 euro për secilin pozicion të vendeve të punës ngritje të pagave. Është ngrit kjo që është ngrit 60 euro, nuk është e kënaqshme. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet sindikale, do të vazhdojmë komunikimet me menaxhmentin edhe bordin, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje edhe më të këndshme për punëtorët e korporatës”, tha ai për EO.
Sipas tij, aktualisht ekziston dialog mes sindikatës dhe menaxhmentit, por nuk përjashtohen veprimet sindikale nëse mungon vullneti për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Faktikisht menaxhmenti dhe ne nuk kemi shkëput dialogun. Të dy palët jemi për dialog, mirëpo në momentin kur e vërejmë që nuk do të ketë dialog dhe nuk do të ketë vullnet për të përmirësuar mirëqenien sociale të punëtorëve, atëherë veprimet sindikale patjetër që janë të pashmangshme. Po, sigurisht fillimi do të jetë gjithmonë protesta, lutem që mos të vjen deri te greva. Mirëpo edhe një herë po e ceki, ka një vullnet, është ndryshuar pak qasja e menaxhmentit ndaj sindikatave, kështu që unë po besoj që do të arrijmë me dialog t’i zgjidhim këto çështje”, tha ai.
Duke folur për pagën e 13-të, Jashari tha se sindikata ka bërë tri kërkesa në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, por sipas tij nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Për pagën e 13-të ne kemi bërë tri kërkesa radhazi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe asnjëherë nuk na ka kthyer përgjigje. Jemi anku te Ombudspersoni, aty e kanë dërguar ata një shkresë që gjëja se duhet me u çu te Ministria për Mirëqenie Sociale, diçka që nuk qëndron sepse tash kohën e fundit, kur ka qenë fushata zgjedhore, ata nuk i thanë Korporatës Energjetike që nuk je organizatë publike, po ia mundësuan punëtorëve të KEK-ut që t’i marrin edhe të aplikojnë deri në pagën bruto deri në 1000 euro t’i marrin nga 100 euro. Që do të thotë që me pagën e 13-të qeveria i ka anashkaluar punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, gjë që ne e kemi kundërshtuar ashpër”, tha ai.
Kryetari i sindikatës tha se pavarësisht sfidave dhe pajisjeve të vjetruara, punëtorët e KEK-ut po vazhdojnë të sigurojnë furnizimin me energji elektrike në vend.
“Po gjithherë puna në Korporatën Energjetike të Kosovës është e rëndë. Ka sfida, ka rreziqe, vetë natyra e punës është jashtëzakonisht, si në miniera si në dy termoelektronat, për shkak se punojmë me pajisje të vjetruara. Mirëpo edhe me këto pajisje punëtorët janë duke e dhënë maksimumin, janë duke punuar pa ndërprerë, dhe janë duke bërë të pamundurën që Kosova të ketë dritë”, tha ai.