Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës e Kosovës, Rrahman Jashari ka uruar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Ai ka përmendur mësuesit dhe angazhimin e tyre gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Komunikata e tij e plotë:
Respekt për mësuesit dhe gjithë ata që u angazhuan për lirinë e Kosovës
Duke festuar 25 vjetorin e lirisë së Kosovës njeriu kthen kujtesën nëpër shekuj, dekada e vite dhe lartëson kujtimin për gjithë ata që bënë angazhime sublime për lirinë e Kosovës. Nëpër këto ngjarje e angazhime mësuesi është aty. Mësuesi mbajti gjallë shpresën për liri në vitet e 90-ta duke bërë dritë kundër errësirës e duke shpërndarë frymën atdhetare te nxënësit. Mësuesit krenohen sot e gjithmonë edhe me nxënësit e tyre që iu përgjigjen thirrjes së atdheut dhe me emblemën e UÇK-së zhvilluan beteja të lavdishme duke larguar retë e zeza e duke i hapur rrugë rrezeve të lirisë. Krenohen me veprat e dëshmorëve të rënë për të mos vdekur kurrë dhe të heronjve të gjallë. Mësuesit për jetë e mot u janë mirënjohës edhe miqve ndërkombëtarë që ndihmuan realizimin e ëndrrës sublime të popullit tonë për liri.
Punëtorë të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete urime 25 vitet e lirisë së Kosovës . Ta kryejmë obligimin në klasë me nxënësit e kudo jemi që të mos harrohen sakrificat e atyre që u angazhuan me pendë dhe atyre me pushkë për lirinë e atdheut.