Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Januzi: Mjetet e ndara nga Qeveria për Trepçën mbulojnë nevojat deri në dhjetor

Januzi: Mjetet e ndara nga Qeveria për Trepçën mbulojnë nevojat deri në dhjetor

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi tha se pas vendimit të qeverisë për ndarjen e mjeteve, do ta anulojnë protestën e paralajmëruar të mbahet nesër.

Januzi për KosovaPress tha se e kanë mirëpritur këtë vendim, ani pse është i vonuar.Sipas tij, mjetet 4 milionë euro, për të cilat sot njoftoi qeveria e Kosovës se do të ndahen për këtë minierë, do të mbulojnë nevojat e minatorëve deri në dhjetor të këtij viti.

“Për neve ky vendim është i mirëpritur sepse ka qenë kërkesë e jona tash e tre muaj që të na dalë ndihmë qeveria për shkak se në ndërmarrjen ‘Trepça’ ka ndodhë një keqmenaxhim. Trepça është zhytur në borxhe shumë të mëdha saqë edhe prodhimet tona janë futur në borxhe dhe si rezultat i kësaj nuk kemi arritur t’i marrim pagat. Vendimi është i mirëpritur edhe pse është shumë i vonuar. Ne minatorët kemi pasoja bashkë me familjet tona për shkak të mos realizimit të pagave që nuk ka qenë faji te ne por tek ata që kanë menaxhuar dhe e kanë futur ndërmarrjen në borxhe”, tha Januzi.

Januzi potencoi se si rezultat i përpilimit të një plani konkret, del se këto mjete nuk janë mjaftueshme, për çka u zotua se pjesën tjetër e kanë përsipër vetë minatorët.Për KosovaPress, Januzi tregoi se arsyeja e protestës së paralajmëruar për nesër ka qenë për ndarjen e mjeteve dhe si e tillë pas vendimit të qeverisë për ndarjen e tyre, do të anulohet.

Ndër të tjera, ai potencoi se kushtet e minatorëve janë të mjerueshme.

Januzi theksoi mungesën e ajrit dhe mjeteve të punës.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça” për t’i subvencionuar pagat e minatorëve.Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete merren nga kategoria “Subvencione dhe transfere” në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këto mjete u ndanë pasi ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat, dhe se punëtorët kanë mbetur që 3 muaj pa paga.