Janina Ymeri ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes së një imazhi të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që lidhet me UÇK-në dhe që, sipas saj, është shpërndarë nga grupe në përkrahje të pushtetit.
Në një deklaratë publike, Ymeri theksoi se qëndrimet e saj politike dhe kombëtare janë të qarta dhe konsistente, duke shtuar se ato nuk kanë nevojë për “montazhe digjitale nga grupe interneti që për interesa të tjera tentojnë të banalizojnë përmes imazheve absurde dhe thirrjeve për linçim”.
Ajo nënvizoi se aktiviteti i saj publik mund të shihet çdo ditë përmes angazhimit në shërbim të Republikës së Kosovës, duke theksuar se besnikëria e saj është ndaj shtetit, Kushtetutës dhe qytetarëve të Kosovës. Sipas Ymerit, mbrojtja e vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e vendit është detyrë e secilit qytetar.
Në reagimin e saj, Ymeri shprehu gjithashtu shqetësim për zgjatjen e proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke përkrahur thirrjet për një proces të paanshëm të drejtësisë. Ajo kundërshtoi edhe gjuhën e përdorur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për të cilën tha se tenton të hedhë hije dyshimi mbi aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe shtet të pavarur.