Janina Ymeri ka bërë të ditur se janë caktuar afatet për paraqitjen e amendamenteve për projektligjin që parasheh vendosjen e çmimeve tavan për produktet ushqimore dhe drunjtë.
Përmes një njoftimi në Facebook, Ymeri ka theksuar se ky projektligj ka kaluar pa proces të konsultimeve publike, ndaj ka ftuar qytetarët dhe palët e interesuara që të dërgojnë sugjerimet e tyre.
Sipas saj, të gjitha propozimet që do të pranohen do të përcillen në Komisionin për Ekonomi.
“Në fotografi gjeni afatet për amendamentet për ligjin e çmimeve tavan të ushqimit dhe drunjve. Meqenëse ky ligj i është shmangur konsultimeve publike, mund të më dërgoni sugjerimet dhe sipas mundësisë do t’i përcjell në Komisionin e Ekonomisë,” ka shkruar Ymeri.
Sipas vendimit të publikuar, amendamentet për projektligjin mund të dorëzohen deri më 17 prill 2026, ndërsa shqyrtimi i dytë i projektligjit në seancë plenare është paraparë të mbahet më 23 prill 2026.