Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Janë nja 50-60 veta në Kosovë

Janë nja 50-60 veta në Kosovë

SHKRUAN: AGRON HOTI
Kosova i ka nja 50-60 njerëz – ekspertë të nivelit më të lartë – që për dekada kanë qenë pjesë e proceseve më të rëndësishme të shtetndërtimit. Shumica kanë punuar në qeveritë e krahut të luftës dhe të LDK-së. Kanë qenë kurrizi profesional i shtetit, pa u përlyer në afera, pa njolla korrupsioni dhe me integritet të padiskutueshëm. Për nga niveli, përvoja dhe ekspertiza, janë njerëz për admirim. Shumicën prej tyre i njoh personalisht, ndërsa me disa kam pasur fatin të punoj drejtpërdrejt.
Sot, këta njerëz, nuk i gjen as në VV dhe as në ndonjë parti tjetër. Jo sepse nuk kanë çfarë të japin, por sepse nuk pranojnë t’ua shtrijnë qafën partive që prej vitesh promovojnë mediokritetin dhe një analfabetizëm politik alarmues.
Këta ekspertë sot punojnë në projekte ndërkombëtare, brenda dhe jashtë Kosovës, duke u vlerësuar e paguar për dijen e tyre. Ndërkohë, shteti i Kosovës ua ka mbyllur pothuajse të gjitha dyert. Jo sepse nuk i duhen, por sepse partitë nuk i duan pranë vetes.
Pushtetet e krahut të luftës dhe të LDK-së shpesh i injoruan, e në shumë raste edhe i luftuan, sepse i shihnin si pengesë për interesat dhe pazaret e tyre. VV, nga ana tjetër, i refuzon me arsyetimin se kanë qenë pjesë e qeverive të kaluara, ndërkohë që në praktikë është treguar edhe më e ashpër në përjashtimin e njerëzve me dije dhe përvojë. Edhe ata pak profesionistë që kanë mbetur në institucione trajtohen si dekor; askush nuk ua kërkon mendimin as kur merren vendimet më të rëndësishme.
\
Në shtete normale, njerëz të tillë do të mbaheshin pranë institucioneve me çdo kusht. Do të paguheshin mirë, do të dëgjoheshin dhe do të përfshiheshin në proceset vendimmarrëse, sepse përfaqësojnë kapitalin më të çmuar të një shteti: dijen dhe përvojën. Në Kosovë ka ndodhur e kundërta. Truri nuk është mbështetur; është luftuar sistematikisht. Jo nga një qeveri apo një parti e vetme, por nga të gjitha.
Prandaj nuk është rastësi që, pavarësisht numrit të votave që kanë marrë, qeveritë dhe kuvendet kanë ardhur duke u dobësuar në cilësi. Politika kosovare nuk ka ecur duke e ngritur nivelin e saj, por duke e ulur vazhdimisht atë. Nuk ka ndërtuar elitë politike; ka prodhuar boshllëk intelektual.
Kosova është shumë e vogël për ta pasur luksin e përjashtimit të njerëzve të zotë. Nuk është Gjermani, as Francë, që mund të humbasë qindra ekspertë dhe prapë të funksionojë normalisht. Ne i numërojmë me dhjetëra, e megjithatë vazhdojmë t’i largojmë.
Dhe ja ku jemi sot: partitë politike prijëse në mediokritet e analfabetizëm, qeveritë qendrore e lokale që i ndjekin pas, kuvendi që rrallë prodhon debat cilësor dhe një shoqëri ku antivlera shitet si vlerë, ku zhurma mund argumentin dhe ku tallavaja shpesh triumfon mbi meritën.
Ky nuk është problem i atyre 50-60 ekspertëve. Ky është problemi i Kosovës.