Ish-diplomati amerikan dhe zëdhënësi i dikurshëm i Departamentit të Shtetit, James Rubin, ka ngritur dyshime mbi qasjen e trupit gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë me gazetaren e njohur Christiane Amanpour, Rubin theksoi se kishte mbetur i habitur nga natyra e pyetjeve të bëra nga disa prej gjyqtarëve gjatë dëshmisë së tij. Ai tha se këto pyetje i ishin dukur të njëanshme dhe nuk përputheshin me rolin që gjyqtarët pritet të kenë në një proces të drejtë gjyqësor.
“Gjyqtarët, për befasinë time, më bënin pyetje që më dukën tepër të anshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte”, deklaroi Rubin.
Sipas tij, kishte përshtypjen se disa gjyqtarë tashmë kishin formuar një mendim të paravendosur për strukturën e UÇK-së dhe për rolin e Hashim Thaçit si udhëheqës i saj, gjë që ai e hodhi poshtë si të pavërtetë.
“Prej pyetjeve që mu bënë nga disa prej gjyqtarëve, mu duk se tashmë kishin marrë vendim se UÇK-ja ishte tamam organizatë që funksiononte si duhet me Hashim Thaçin në krye. Gjë që s’është e vërtetë”, u shpreh ai.
Rubin shtoi se në çdo proces të drejtë, është detyrë e prokurorisë të paraqesë akuzat dhe e mbrojtjes të përgjigjet, ndërsa gjykatësit duhet të mbledhin dëshmitë në mënyrë të paanshme, për të arritur një vendim të drejtë dhe të bazuar në prova.