Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Jakaj: Nëse Gjykata nuk e nxjerr shpejt vendimin, mund të ekzistojë rreziku i thellimit të krizës kushtetuese

Jakaj: Nëse Gjykata nuk e nxjerr shpejt vendimin, mund të ekzistojë rreziku i thellimit të krizës kushtetuese

Naim Jakaj nga Insituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është shprehur se që nga dita e sotme po që se Gjykata Kushtetuese nuk del me asnjë vendim, partitë politike mund të fillojnë të marrin ndonjë hap pasi që formalisht nuk ka asnjë ndalesë.

“Në parim, pas skadimit të masës, nuk ekziston ndalesë formale për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm drejt konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, duke qenë se çështja është ende nën shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, praktika më e mirë dhe respektimi i parimit të sigurisë juridike sugjeron që institucionet të presin vendimin përfundimtar. Ndryshe, rrezikohet që veprimet e ndërmarra gjatë kësaj periudhe të kontestohen dhe të krijojnë pasiguri të re juridike”, u shpreh Jakaj për Arbëria TV.

“Nëse masa e përkohshme skadon pa u shpallur aktgjykimi përfundimtar, kjo do të thotë se përkohësisht nuk ekziston më asnjë pengesë juridike e vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Praktikisht, kjo krijon “vakum”, sepse proceset e pezulluara mund të rifillojnë, edhe pse çështja themelore ende nuk është zgjidhur. Megjithatë, në praktikën e saj, Gjykata zakonisht shmang situata të tilla duke shpallur vendimin përfundimtar para skadimit të masës, ose duke e vazhduar masën derisa të publikohet aktgjykimi. Kjo bëhet për të garantuar siguri juridike dhe për të mos lejuar që institucionet të hyjnë në veprime të cilat më pas mund të dalin kundërvendimit përfundimtar”, tha ai.

Megjithatë, Jakaj për Arbëria TV tha se po që se Gjykata nuk e nxjerr shpejt vendimin, mund të ekzistojë rreziku i thellimit të krizës kushtetuese.

“Ekziston rreziku i thellimit të krizës kushtetuese. Megjithatë, Gjykata në secilin rast kur është afër skadimit të masës së përkohshme, ajo publikon vendimin dhe me këtë përfundon masa e përkohshme ose nxjerr njoftimin për mënyrën e vendimmarrjes dhe vazhdon masën e përkohshme deri në publikimin e plotë të Aktgjykimit”, u shpreh ai.