Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Izraeli thotë se ka vrarë “kreun e operacioneve ajrore të Hamasit”

Izraeli thotë se ka vrarë “kreun e operacioneve ajrore të Hamasit”

Ushtria izraelite thotë se aeroplanët e saj luftarakë goditën 150 objektiva nëntokësore gjatë natës dhe vranë kreun e operacioneve ajrore të Hamasit.

Sipas mediave të huaja, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur, siç i quajti, tunele terroriste dhe hapësira luftarake nëntokësore gjatë një periudhe të sulmeve ajrore shumë të rënda në veri të Rripit të Gazës.

Midis disa operativëve të Hamasit të vrarë, tha ushtria, ishte njeriu përgjegjës për asetet ajrore të Hamasit, të cilin e quajti Asem Abu Rakaba.

Ai kishte marrë pjesë në planifikimin e sulmit të 7 tetorit ndaj komuniteteve izraelite pranë kufirit të Gazës dhe “drejtoi terroristët që depërtuan në Izrael me paragliderë”, sipas IDF.

Ndërkohë ushtria izraelite ka thënë se po zgjeron operacionet tokësore dhe ka paralajmëruar banorët e qytetit të Gazës që të lëvizin në jug.

Daniel Hagari, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), tha vonë të premten: “Përveç sulmeve që kemi kryer ditët e fundit, forcat tokësore po zgjerojnë aktivitetin e tyre këtë mbrëmje”.

“IDF po vepron me forcë të madhe… për të arritur objektivat e luftës”.

Gjatë natës, aeroplanët luftarakë izraelitë goditën 150 objektiva nëntokësore në Rripin verior të Gazës, tha të shtunën IDF.

Kjo përfshinte “tunele terroriste, hapësira luftarake nëntokësore dhe infrastrukturë shtesë nëntokësore” dhe rezultoi në vdekjen e disa anëtarëve të Hamasit.

/TV Arbëria

Powered by WordPress