Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Izraeli thotë se “ka shumë mundësi” që është përgjegjës për vrasjen e tre pengjeve në Gazë

Izraeli thotë se “ka shumë mundësi” që është përgjegjës për vrasjen e tre pengjeve në Gazë

Ushtria izraelite tha se “ka shumë mundësi” që tre pengjet që u gjetën të vdekur muaj më parë të jenë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Ushtria më 15 shtator publikoi gjetjet e hetimit të saj lidhur me vdekjen e Nik Beizer, Ron Sherman dhe Elia Toledano.

Ajo tha se hetimet kanë përcaktuar se të tre me gjasë u vranë gjatë një sulmi ajror në nëntor që po ashtu la të vrarë anëtarin e lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ahmed Ghandour.

Të tre pengjet ishin rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit që Hamasi kreu në jug të Izraelit. Trupat e tyre u tërhoqën në dhjetor, por shkaku i vdekjes së tyre u përcaktua së fundi.

Ushtria tha se “ka shumë mundësi” që ata u vranë gjatë sulmit ajror, bazuar në vendin ku u gjetën trupat e tyre, raporteve patologjike dhe informacioneve të tjera. Por, ushtria tha se “nuk ka gjasa të përcaktohen në mënyrë definitive rrethanat e vdekjes së tyre”.

Ky njoftim rrit presionin nga Qeverisë së Izraelit për të arritur një marrëveshje për kthimin e pengjeve të mbetura, që ende mbahen nga Hamasi. Kritikët kanë thënë se është shumë e rrezikshme të tentohet që ata të shpëtohen.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 41.000 persona dhe janë plagosur mijëra të tjerë. /REL

Powered by WordPress