Irani ka këmbëngulur në të drejtën e tij për një “përgjigje të përshtatshme dhe parandaluese” kundër Izraelit, ndërsa ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, i tha homologut të tij amerikan se Teherani po përgatitej për një sulm ushtarak në shkallë të gjerë, raporton The Guardian.
Kjo vjen pasi SHBA njoftoi se kishte urdhëruar dislokimin USS Georgia, një nëndetëse me raketa të drejtuara me energji bërthamore, në Lindjen e Mesme, mes shqetësimeve në rritje për vendosmërinë e Iranit dhe përfaqësuesve të tij për t’u hakmarrë për vrasjen e liderit politik të Hamasit nga Izraeli, Ismail Haniyeh, në Teheran.
Me frikën se një sulm mund të jetë i afërt, komandanti i forcave ajrore izraelite, gjeneralmajor Tomer Bar, lëshoi një urdhër që i ndalonte oficerët e karrierës të udhëtonin jashtë vendit për pushime, një ditë pasi u raportua se ushtarëve që udhëtonin në Gjeorgji dhe Azerbajxhan u ishte thënë të ktheheshin në Izrael menjëherë.
Më herët, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë i bënë thirrje Teheranit që të përmbahet nga çdo sulm hakmarrës që do t’i përshkallëzonte më tej tensionet rajonale pas vrasjes së Haniyeh dhe të një udhëheqësi të Hezbollahut në Bejrut muajin e kaluar.
Tensionet në rritje të shpejtë janë nxitur nga komentet e zyrtarëve iranianë dhe izraelitë se Teherani është në prag të një sulmi hakmarrës në shkallë të gjerë.
Të premten, një zëvendës komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike u tha agjencive lokale të lajmeve se vendi po përgatitej ta zbatonte një urdhër të udhëheqësit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, për ta “dënuar ashpër” Izraelin për vrasjen e Haniyeh më 31 korrik.