Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Izraeli merr masa të reja për luftimin e terrorit

Izraeli merr masa të reja për luftimin e terrorit

Në të ardhmen qytetarët izraelitë do të mund të marrin më lehtë dhe më shpejt lejen për të marrë armë të caktuara, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu natën e së dielës pas një takimi emergjent. Detajet për këtë nuk janë bërë të ditura. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të mos e marrin vetë në dorë ligjin, por të lenë ushtrinë, qeverinë dhe forcat e sigurisë të bëjnë punën.

Në kabinetin qeveritar u vendos po ashtu të merren masa edhe kundër anëtarëve të familjeve të atentatorëve që mbështesin terrorin. Këtu do të bënte pjesë edhe shkurtimi i ndihmave sociale, si edhe heqja e mundësisë së shërbimeve shëndetësore. Nuk është e qartë se si do të verifikohet, nëse një person është mbështetës apo jo i terrorit. Përveç kësaj në kabinetin qeveritar u vendos që ushtria dhe policia të mbledhin armët ilegale. Hapa të tjerë si “forcimi i ngulimeve hebreje” u shty për një afat tjetër.

Kabineti qeveritar izraelit u mblodh për të diskutuar gjendjen në vend pas atentatit kundër vizitorëve të një sinagoge në Jeruzalemin lindor me shtatë të vdekur dhe sulmit me armë me dy të plagosur, po ashtu në Jeruzalemin lindor.

Kryeministri izraelit, Netanjahu kishte bërë të ditur para takimit emergjent, se ai do t’u japë një përgjigje “të fortë” sulmeve të përgjakshme. Reagimi do të jetë i shpejtë dhe preciz. “Ne nuk duam shkallëzimin e gjendjes, po jemi të përgatitur për çdo skenar”, raporton Deutche Welle.

Ndërkohë të shtunën në mbrëmje ka pasur protesta kundër qeverisë ultra të djathtë të Netanjahut. Protesta drejtohej kryesisht kundër planeve të qeverisë të reduktojë ndikimin e gjykatave. Planet e ministrit të Drejtësisë, Jariv Levin parashikojnë ndryshime për miratimin e ligjeve, kështu duhet të mjaftojë shumica në parlament për të miratuar ligje, edhe nëse Gjykata Kushtetuese më pare i ka shpallur si ligje që shkelin kushtetutën. Kampi ultra i djathtë religjioz kishte akuzuar edhe më parë gjykatën më të lartë se përzihet më shumë se duhet në vendimet politike.

Gjendja e sigurisë në Izrael dhe në zonat palestineze u ashpërsua jashtëzakonisht së fundmi. Në një sulm të forcave izraelite të sigurisë në një kamp refugjatësh në Dxhenin të enjten u vranë nëntë persona, sipas të dhënave palestineze. Kaq shumë të vdekur pas një misioni të tillë nuk ka pasur prej kohësh.

Kurse organizata terroriste Hamas që sundon në Rripin e Gazës u shpreh pa e fshehur gëzimin pas atentatit në një sinagogë në Jeruzalemin lindor me disa të vdekur. Hamasi militant është shpallur nga Gjermania, BE, SHBA si edhe vende të tjera arabe si organizatë terroriste.

Në Jordanin Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor jetojnë më shumë se 600.000 persona në ngulimet izraelite. Palestinezët e pretendojnë këtë territor për shtetin e tyre të ardhshëm me pjesën lindore të Jeruzalemit si kryeqytet të tyre. /TV Arbëria

 

Themes by WordPress