Izraeli dyshohet se arriti të riformojë koalicionin që e mbrojti atë nga sulmi i parë iranian në muajin prill të këtij viti.
“Channel 12” i Izraelit njoftoi se në pritje të një sulmi nga Irani dhe Hezbollahu, Izraeli po finalizon marrëveshjet me aleatët për një koalicion rajonal për të penguar sulmin.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Shtetet e Gjirit dhe Jordania janë vendet pjesëmarrëse, të cilat janë të gatshme të ndihmojnë në kapjen e raketave dhe dronëve. Është koalicioni që ishte aktiv gjatë sulmit mes 13 dhe 14 prillit.
Raportohet gjithashtu se ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin kanë folur sërish në telefon, shkruan timesofisrael.
Gjithashtu theksohet se në zonë janë dërguar disa anije amerikane me kapacitete përkatëse për zbulimin dhe kapjen e raketave.
Irani dhe Hezbollahu u zotuan të hakmerren pasi një sulm izraelit në Bejrut vrau një nga udhëheqësit e Hezbollahut, Fuad Shukr. Gjithashtu, në Teheran u krye edhe vrasja e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, për të cilën shumica e konsiderojnë si përgjegjës Izraelin.
Presidenti amerikan, Joe Biden thuhet se ka paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun se ai nuk do të marrë pjesë në mbrojtjen e Izraelit nëse, pas sulmit të pritshëm, Izraeli e përshkallëzon më tej situatën.