Ushtria izraelite i ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit me një sërë sulmesh ajrore mëngjesin e së premtes, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban.
Nuk dihet nëse ka viktima nga këto bombardime.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Bombardimet vijnë pas përpjekjeve të reja po të pafrytshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe në Liban, për t’i dhënë fund një viti luftimesh mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Izraeli dhe Libani janë duke punuar për ta kuptuar se çfarë nevojitet për ta zbatuar një rezolutë të shkelur të OKB-së, 1701, e cila do të ishte themeli për t’i dhënë fund konfliktit.
Konflikti përgjatë kufirit mes Hezbollahut dhe Izraeli u përshkallëzua në luftë të përgjithshme muajin e kaluar, kur Izraeli nisi një valë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe vrau udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shumicën e zëvendësve të tij.
Udhëheqësi i sapoemëruar i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi militant do ta vazhdojë luftën me Izraelin derisa t’i plotësohen kushtet për një armëpushim që ai i vlerëson të pranueshëm.
Rreth 1.2 milion njerëz janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në Liban, sipas vlerësimeve të qeverisë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 2.800 njerëz janë vrarë dhe 12.900 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të hidhte raketa në Izrael, duke nxitur hakmarrje./REL/