Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Profili heroik i Adem Jasharit

Profili heroik i Adem Jasharit

Njerëzit e mëdhenj e lëvizin historinë. Me veprimet dhe aksionet e atyre ata i zgjojnë popujt dhe kombet nga gjendja e padurueshme e robërisë drejt shtigjeve të lirisë. I tillë për botën shqiptare qe Adem Jashari, dhe akti i tij flijues heroik si personal ashtu edhe familjar.

I lindur me 28 nëntor të vitit 1955 ai që në moshë të re u brymos me ide kombëtare. Merr pjesë aktivisht në demonstratat e vitit 1981. Kurse sakrifica dhe rezistenca e Tahir dhe Nebih Mehës kundër forcave policore jugosllave, i la gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij heroik.

Pas viteve  ‘90 kur shqiptarët e Kosovës u privuan nga çdo e drejtë kombëtare, njerëzore dhe politike, Adem Jashari me shokë u angazhuan në krijimin e celulave të para të armatosura, të cilat do ta formojë edhe bërthamën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizim ky që u themelua me 17 nëntor të vitit 1994, si kundërpërgjigje  ndaj regjimit shtypës të Milosheviçit.

Për shkak të rolit të tij në organizmin dhe ekzekutimin e sulmeve luftarake kundër forcave policore serbe, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në vitin 1997, në mungesë i shqipton dënimin për njëzet vjet atij dhe Iliaz Kodrës, Sahit Jasharit, Fadil Kodrës, Jakup Nurës, Zenun Kodrës, Rexheo Selimit dhe me 10 vjet Hashim Thacit.

Ndërkohë, forcat speciale serbe do të ndërmarrin disa herë fushata represive kundër Kullës së Jasharajve me qëllim që ta shtypin idenë e lirisë që e mishëronte kjo familje. Sulmi i parë u krye në dhjetor të vitit 1997. Kurse sulmi i dytë me 22 janar të vitit 1998.  Por të gjitha këto përpjekje dështuan, sepse Adem Jashari me familje  ishin të vendosur të luftonin deri në vdekje për hir të lirisë. Ashtu edhe siç ndodhi me datën 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, ku në këtë betejë epike ra i madh e vogël me qëllim që të ngritët një komb i tërë.

Me veprimet dhe aksionet e tyre Adem Jashari me familje e kutpuan një gjë fisnike se liria dhe lufta ishin në atë kohë identike. Të shpresoje se e para mund të vinte pa të dytën, nuk ishte asgjë tjetër, pos të jetojë në iluzionin që e pamundësonte lirinë e gjallë dhe reale. Prandaj Adem Jashari nuk e zgjodhi pritjen, as rrethanat fatlume, por sakrificën e vetëdijshme. Sepse fitimi i lirisë mund të bëhej vetëm nga gatishmëria për ta rrezikuar jetën. Dhe aftësia për ta sfiduar vdekjen.

 

Këtë gjakim për liri, asgjë nuk e pasqyron më mirë, se sa dëshmori i përjetshëm i kombit Bahri Fazliu nëpërmjet poezisë së tij të pavdekshme “Nuk mund të ndahem nga lufta”të shkruar në vitin 1996. Këto vargje paraqesin një tejqyre unike ndërmjet kumtit gjëmtar dhe testamentit për liri “S’mund të ndahem nga lufta kurrë, S’mund t’pajtohem me paqe n’ robëri, ‘pash me pash do t’i bi ferrit’, për të shtrenjtën tonë liri. Edhe vdekjen do ta puth o nënë, hej kur lufta këtë do ta kërkojë, edhe nga varri do të ngritëm, e luftën kurrë s’do ta pushoj, pash me pash ferrit do t’i bi, veç liria të agojë”. Të tillë qenë Jasharajt. Ata ishin mishërimi heroik i pamundësisë për t’u ndarë nga lufta, e ku më shumë se asnjë herë tjetër ishin motërzuar vdekja dhe liria.

 

“Vetëm duke e rrezikuar jetën” kishte shkruar dikur Hegeli, “ruhet liria”. Por hapi nistor drejt jetësimit të këtij ideali mbetet çlirimi nga “frika prej vdekjes kësaj zonje absolute”.

 

Dhe këtë e bënë Familja Jashari. Me luftën dhe sakrificën e tyre ata i hapën rrugë zhvillimit të jetës për një komb të tërë. Asaj jete që mund të lulëzojë dhe shpërthejë e plotë vetëm në liri. Prandaj, mosdorëzimi dhe lufta e tyre shënon njërin nga aktet më ta larta të humanizmit të njohur nga historia evropiane.  Është ky humanizëm, për të cilin dikur shkruante Ukshin Hoti, “ se edhe me çmimin e jetës nuk do ta lejojmë rrënimin e jetës”.

 

Kështu ky flijim i dha një ngjyrë tjetër politikës shqiptare. I tërë populli shqiptar pas këtyre ngjarjeve refuzoi të bëjë çfarë do pakti me regjimin e Milosheviqit dhe pranoi të jetë pjesë e një kalvari kolektiv deri në çlirim përfundimtar. Ndërkaq, Arben Xhaferi, në shkrimin “Etika e qenies” pohon se flaka në kullat e Jasharajve, vdekja e një familje të tërë, në esencë dogji shtyllat e një rendi të egër dhe jodemokratik sllav në këto hapësira dhe hapi shtegun për një proces që do të sjellë vlera të njëmenda njerëzore, politike dhe morale në këto hapësira.

 

Kurse , Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner në Kullën e Jasharajve,  pat deklaruar se po të kishte Çmim Nobël për sakrificë dhe për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

/TV Arbëria

 

 

 

 

Powered by WordPress