Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Hovenier: Anëtarësimi në BE-NATO, Kosova duhet ta ndihmojë ShBA-në, në mënyrë që edhe ajo ta ndihmojë Kosovën

Hovenier: Anëtarësimi në BE-NATO, Kosova duhet ta ndihmojë ShBA-në, në mënyrë që edhe ajo ta ndihmojë Kosovën

Të hënën në Prishtinë u mbajt një panel diskutimi me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik”.

Në këtë panel i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili foli për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO në këtë panel foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo u shpreh optimiste se deri në vitin 2030, Republika e Kosovës do të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

“Është shumë pyetje e vështirë kjo, sepse nuk varet vetëm nga Kosova se ku do të gjendemi në vitin 2030. E di që deri në atë vit shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe projektimet tona më të mira mund të ndodhin deri atëherë. Për shembull duhet të kemi një gjuhë të qartë dhe pengesa për ata që e pengojnë rajonin tonë.

”Pra, të gjithë në çfarë mënyre, partnerët tanë, miqtë tanë që do të jenë të pranishëm në rajon duke dhënë sinjale të duhura që luftërat në të ardhmen nuk do të tolerohen, por për t’i parandaluar duhet të veprojmë me të tashmen përndryshe do të jemi në të njëjtën pozitë sikurse në vitet 90’ dhe nëse nuk përdorim parandalimin atëherë do të jemi tepër të zënë për të gjetur strategjitë e duhura për të përfunduar diçka që do të mund ta parandalonim lehtë po të kishte vullnet të mirë, analizë dhe persona të duhur. Ne në vitin 2030, në NATO dhe në BE”, theksoi Gërvalla.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian në vitin 2030 është ambicioz, kurse për anëtarësimin në NATO, theksoi se Kosova duhet ta ndihmojë ShBA-në, në mënyrë që edhe ajo ta ndihmojë Kosovën.

Ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i dëgjojë këshillat e dhëna.

“ShBA nuk mund të vendos kush mund të jetë shtet anëtar i BE-së. NATO e ka rolin e vet dhe duam ta avancojmë, por duam t’i ndihmojmë Kosovës, por duam që edhe Kosova të na ndihmojë përmes argumenteve të mira, shmangies së rrethanave se si të jesh një avokat efektiv. Shpresa ime është që qeveria do të dëgjoj këshillat e dhëna”, theksoi ai.

Ambasadori amerikan ka folur edhe për procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Hovenier, ka thënë se Kosova duhet të tregojë vullnet të vazhdueshëm dhe kreativitet në dialogun me Serbinë në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

”Bashkësia ndërkombëtare do që qartazi Kosova të avancojë në rrugën evropiane, pra keni krijuar kushtet për të arritur këtë dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të fascilituar nga BE. Ne shpresojmë të shohim përpjekje të ripërtërira për të ecur para”, theksoi ai.

“Jam i vetëdijshëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe fascilitatorëve. Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë progresin e Kosovës, nuk do ta sfidojë këtë si mundësi. Ajo që mund të them është strategjia më e mirë ne rrethana të tilla për Kosovën është të bëj gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm kreativitet, energji, përkushtim dhe implementim të obligimeve të cila i ka marrë që i ndihmon procesit për të shkuar para”, u shpreh ambasadori.

Powered by WordPress