Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq – të dyshuarit për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi.
Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjenden në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.
Aksioni në Banjskë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës (24 shtator 2023) ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy policë të tjerë. Pastaj, Policia kishte vrarë tre terroristë ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.
/TV Arbëria