Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Ismaili: Sistemi i pagesave pamundëson pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Ismaili: Sistemi i pagesave pamundëson pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka organizuar të mërkurën takimin e Forumit të Rithemelimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave në funksion të mbështetjes së reformave në fushën e pagesave, përmes zgjerimit të përfshirjes dhe rritjes së bashkëpunimit në mes të akterëve të ekosistemit të tregut të pagesave në Kosovë.

Aty u tha se qëllimi i kësaj ngjarje është riorganizimi dhe funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Pagesave (KKP), përditësimin mbi zhvillimet e infrastrukturës ligjore dhe teknike në fushën e pagesave dhe përcaktimin e një plani kombëtar për përfshirjen financiare dhe reduktimin e përdorimit të parave të gatshme.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, tha se një sistem i zhvilluar i pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro dhe zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave.

Efekt tjetër pozitiv sipas tij është edhe zvogëlimi i efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar dhe rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre. Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që bizneset konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime. Njëkohësisht, një sistem i zhvilluar i Pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, tha Ismaili.

“Në linjë me Marrëveshjen për Stabilizim Asocimin dhe Procesin e Berlinit, procesi i reformave dhe avancimi i Sistemit të Pagesave përmes Zhvillimit të Pagesave të shpejta lokale dhe integrimi i sistemit të pagesave në nivel të rajonit do të përshpejtojnë edhe qasjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro të Bashkimit Evropian e njohur si SEPA. Kjo ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel të kostos, efikasitetit në kohë dhe sigurisë si dhe qasjen në Sistemin e Pagesave të Shpejta të BE-së të njohur si TIPS që është pjesë e Eurosistemit nga viti 2018. Kjo u mundëson ofruesve të shërbimeve të pagesave të ofrojnë transfere të fondeve për klientët e tyre në kohë reale dhe gjatë gjithë kohës, çdo ditë të vitit, pra, ku individët dhe bizneset mund të transferojnë para ndërmjet njëri-tjetrit brenda disa sekondave, pavarësisht nga ora e punës së bankës së tyre lokale. Edhe vet rregullorja e fundit për operacionet me para të gatshme, shënon një avancim shumë të madh në aspekt të përafrimit me kërkesat dhe standardet për anëtarësim në SEPA, si dhe TIPS”, tha tutje Ismaili.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se digjitalizimi i pagesave ka shumë përparësi, pasi parandalon edhe financimin e aktiviteteve ilegale.

Ai tha se kjo formë po ashtu e zvogëlon edhe barrën administrative dhe eliminon përdorimin e parave fallso.

Murati tha se si ekzekutiv janë të gatshëm që ndihmojnë këtë sistem që të zhvillohet sa më shpejt.

“Digjitalizimi si i tillë ka shumë përparësi dhe shumë përfitime. E para do të thosha që sa i përket aspektit ekonomik e zvogëlon barrën administrative, e dyta pastaj e zvogëlon edhe koston e operimit dhe e treta i jep një dozë të integriteti çdo transaksioni duke qenë se është e sigurti që po bëhet këmbim apo transaskioni me para të vërteta dhe eliminohet kjo çështja e parave false dhe të manipuluara dhe në anën tjetër e parandalon edhe financimin e aktiviteteve ilegale apo edhe shpëlarjen e parave dhe ekonominë informale”, tha ai.

Avancimi i infrastrukturës ligjore dhe teknike të BQK-së për anëtarësim në Skemën e Pagesave SEPA dhe qasje në Sistemin e Pagesave të Shpejta të BE (TIPS); Zhvillimi i infrastrukturës teknike për mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, krijimi i QR Kodit kombëtar dhe standardizimi i API-së për ndërlidhje të sistemeve; Reduktimi i pagesave me para të gatshme si dhe promovimi i pagesave elektronike.

 

Powered by WordPress