Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ish-ushtari i UÇK-së: Në luftë nuk kishim fasha për plagë, jo më kushte për trafik organesh

Ish-ushtari i UÇK-së: Në luftë nuk kishim fasha për plagë, jo më kushte për trafik organesh

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Meçan Zotaj, ka ndarë një rrëfim personal mbi organizimin ushtarak dhe sfidat me të cilat përballeshin luftëtarët gjatë luftës në Kosovë.

Në një intervistë për Terminalin e A2 CNN, Zotaj theksoi se pretendimet për trafikim organesh, mbi të cilat është ngritur aktakuza e Gjykatës Speciale, janë absurde dhe të pabazuara në realitetin e asaj kohe.

“Gjykata Speciale është ngritur mbi bazën e pretendimeve për trafik organesh, gjë që është krejtësisht absurde, madje edhe nga kush është deklaruar. Ne nuk kishim as fasha për të lidhur plagët, e lëre më të bënim operacione për trafik organesh,” tha Zotaj.

Ai sqaroi se nuk dëshiron të ndërhyjë në temat që i përkasin strukturave të larta të UÇK-së, por ndau përvojën e tij personale nga njësia ku shërbeu:

“Unë kam qenë pjesë e njësisë komando Delta, që funksiononte nën komandën e Xhemajl Fetahut. Komandant i njësisë speciale Koshare ka qenë Anton Çuni, ndërsa brigada i përkiste komandës së Rustem Berishës. Kudo ku kam shërbyer, ka ekzistuar një hierarki e rregullt dhe funksionale ushtarake.”

Zotaj shtoi se nëse ka pasur nevojë për ngritjen e një gjykate për krime lufte, ajo duhej të ishte e vendosur në Kosovë, njësoj si në shtetet e tjera që kanë trajtuar çështjet e tyre përmes institucioneve të brendshme.

“Po të kishte pasur vërtet nevojë për një gjykatë të tillë, ajo duhej të ishte ngritur në Kosovë, siç ndodh në çdo vend tjetër demokratik,” përfundoi ai.