Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Ish Presidenti Trump ndryshon fushatën për përballjen me Kamala Harrisin

Ish Presidenti Trump ndryshon fushatën për përballjen me Kamala Harrisin

Në fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, kandidati republikan Donald Trump po përballet me një kundërshtare tjetër pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara. Ekipi i ish Presidentit Trump po ndryshon fushatën për përballjen e mundshme me Nënpresidenten Kamala Harris. Ndërkaq, kjo e fundit pritet që të zgjedhë kandidatin e saj për postin e Nënpresidentit brenda datës 7 gusht.

Republikanët e kuptuan se trysnia e demokratëve ndaj Presidentit Joe Biden po çonte drejt tërheqjes së kandidaturës së tij nga gara zgjedhore.

Kur ai njoftoi largimin, ata vepruan menjëherë.

“Nëse e keni pyetur ndonjëherë veten se si Joe Biden-i mund ta dëmtomte kaq shumë kufirin, mos harroni që ai nuk ishte i vetëm”, thuhet në një nga reklamat e republikanëve.

Ata i zhvendosën kritikat drejt Nënpresidentes Kamala Harris duke e fajësuar atë për rritjen e emigracionit të paligjshëm.

Reklama vazhdon me zonjën Harris duke thënë: “Kam punuar për këtë çështje për një kohë të gjatë.

“Kjo është e vërteta për Kamala Harrisin. Ajo ka qëndrime të rrezikshme liberale në lidhje me imigracionin e paligjshëm”, thotë më tej reklama.

Në tubimin e saj të parë si kandidate e pritshme e demokratëve, zonja Harris ishte gati me një kundërsulm duke u kujtuar votuesve punën e saj si prokurore.

“Në ato role jam marrë me kriminelë të të gjitha llojeve. Me ata që abuzuan gratë, me mashtrues që grabisin konsumatorët, me mashtrues që shkelin rregullat për përfitimin e tyre. Unë e njoh tipin e Donald Trump-it”, tha Nënpresidentja Harris.

Kandidimi i zonjës Harris shënon një rifillim në garën që ish-Presidenti Trump po e udhëhiqte, thotë eksperti i studimeve qeveritare të Institutit Brookings, Darrell West.

“Ajo do të jetë një kandidate e fortë në shtetet e rëndësishme për garën zgjedhore si Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin. Unë mendoj se ajo do te shtojë gjasat e demokratëve për fitore në disa nga shtetet e diskutueshme ku përkrahja për ta kishte filluar të zbehej, si për shembull ne Arizonë”, thotë zoti West.

Kandidati republikan Trump, siç ndodh rëndom me rivalët e rinj, filloi ta vërë në lojë zonjën Harris.

“E keni parë se si qesh ajo? Ajo eshte e çmendur. Mund të kuptosh shumë për njerëzit nga mënyra se si qeshin. Ajo është e çmendur”, tha zoti Trump.

Republikanët janë të sigurt se mund të mposhtin çdo demokrat, thotë Meena Bose nga Universiteti Hofstra.

“Është e qartë se ish-presidenti Trump dhe ekipi i tij menduan se Presidenti Biden ishte një kandidat i mundshëm. Ata duket se kanë të njëjtat pikëpamje edhe për Nënpresidenten”, thotë Dr. Bose.

Një rivale e re megjithatë nënkupton disa ndryshime në fushatë, thotë zoti West.

“Republikanët duhet të riformulojnë të gjithë fushatën e tyre, e cila e vinte theksin tek mosha e Joe Biden-it dhe familja e tij, duke e quajtur të korruptuar. Të gjitha këto bien poshtë tani. Tani ata do të vënë theksin tek fakti që zonja Harris është nga Kalifornia, shteti më liberal se pjesa tjetër e vendit”, thotë eksperti i studimeve qeveritare të Institutit Brookings, Darrell West.

JD Vance, kandidati republikan për nënpresident, ka filluar sulmet duke e fajësuar zonjën Harris për punën që republikanët e vlerësojnë si të dobët të zotit Biden.

“Vendi ynë ka qenë i udhëhequr për tre vjet e gjysmë nga një President që nuk mund ta bëjë këtë detyrë dhe kjo ndodhi sepse Kamala Harris dhe pjesa tjetër e demokratëve ka gënjyer për aftësinë e tij për të qenë president”, thotë zoti Vance.

Zonja Harris, e cila pritet që të zgjedhë kandidatin e saj për postin e Nënpresidentin brenda datës 7 gusht, thotë se votuesit kanë një zgjedhje të qartë midis vizionit të saj dhe atij të zotit Trump.

“A duam të jetojmë në një vend të lirisë dhe sundimit të ligjit apo në një vend kaosi, frike dhe urrejtjeje? Këtu qëndron e bukura e këtij momenti. Secili prej nesh ka fuqinë t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Fuqia është me popullin”, tha zonja Harris.

Sondazhet fillestare politike që nga tërheqja e Presidentit Biden tregojnë se zonja Harris po e ngushton hendekun me zotin Trump./VOA

Powered by WordPress