Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka vlerësuar se anëtarësimi i njëkohshëm i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian do ta lehtësonte arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve.
“Pavarësisht që shumë njerëz mendojnë se nuk ka shans për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, unë mendoj se do të ishte më e lehtë të arrihej ajo marrëveshje nëse të dy vendet do të hynin në BE në të njëjtën kohë, kur populli i Kosovës dhe i Serbisë të vendosin kështu përmes një referendumi”, ka deklaruar Pahor.
“Unë mendoj se i vetmi përmirësim i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtines është i mundur vetëm me hyrjen e të dy vendeve në BE”, ka shtuar ai në një intervistë për të përditshëm malazeze “Vijesti” të botuar të shtunën.
Komentet e Pahorit vijnë në një kohë kur dialogu Prishtinë-Beograd vazhdon të mos ofrojë asnjë rezultat.