Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ftuar në emisionin Arb Debat me Rid Berishën në TV Arbëria, ka folur rreth zhvillimeve në vend dhe zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Bllokada politike”, Haradinaj: Nuk jam ndi mirë sa herë kam shku në parlament – e kam ndje edhe shqetësimin e qytetarëve
Haradinaj, për punën e bllokadës politike tash e një vit, thotë se nuk është ndje mirë sa herë ka shkuar në parlament, karshi qytetarëve.
“Ka qenë kohë e vështirë kjo koha e bllokadës, e pritjeve. Vërtet nuk jam ndi mirë, sa herë që kam shku në parlament nuk e kam pas një ndjenjë të mirë për gjendjen në të cilën ndodhej vendi. E kam përjetu edhe shqetësimin e qytetarëve, plot na pyesnin ‘Çka po bahet?’”, tha Haradinaj.
28 dhjetor zgjedhjet, Haradinaj: Është një lloj shpërfillje, por qytetarët iu kanë përgjigj atdheut në të gjitha situatat
Lidhur me datën 28 dhjetor të zgjedhjeve që u caktua nga presidentja, ai tha se mund të jetë e papërshtatshme për faktin se është shumë afër festave, por sipas tij qytetarët gjithmonë kanë qenë për Kosovën, dhe edhe atë ditë do të jenë.
“E menaxhojmë datën. Është një lloj mospërfillje, mosrespekti për qytetarin e vendit, mirëpo ne nuk i ikim përgjegjësisë askush. Qytetarët e Kosovës iu kanë përgjigje Kosovës, iu kanë përgjigjur atdheut në të gjitha situatat”
Ish-opozita nuk pati votë as për Kurtin as për Konjufcën, Haradinaj: Kjo është meritë e Kurtit – jemi vetëdijësu se nuk bën me dëmtu shtetin për pak pushtet
Haradinaj flet edhe për mungesën e votave nga ish-opozita për Albin Kurtin dhe së dyti për Glauk Konjufcën për të formuar qeverinë, duke thënë se kjo është meritë e Kurtit.
“Nuk mendoj që është meritë e opozitës, është meritë e Kurtit. Ai e ka kriju një situatë për vete të pamundshme dikush me bashkëpunu me të. Rrall ndodh që partitë nuk lakmojnë pushtet, bashkëqeverisje. Kjo është meritë e Kurtit: sjellja e tij, pozicionimi i tij, zhvillimet e brendshme në vend, kanë rezultu që të gjithë jemi vetëdijësu që nuk bën me dëmtu Kosovën për pak pushtet.”, thotë Haradinaj.