Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka thënë se do të marrë pjesë atje në “Forumin e Sigurisë” dhe “Lutjet e Mëngjesit”. Përveç këtyre aktiviteteve, ka deklaruar se do të takohet edhe me zyrtarë amerikanë për të folur lidhur me çështjet dhe zhvillimet që lidhen me Kosovën.
“Krahas këtyre aktiviteteve, do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar çështjet dhe zhvillimet aktuale që lidhen me Kosovën. Zoti e bekoftë miqësinë e popullit të Kosovës me popullin amerikan!”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
Sot udhëtoj për në ShBA, i ftuar për të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme: “Forumi i Sigurisë” dhe “Lutjeve të Mëngjesit”.
“Forumi i Sigurisë” është aktivitet i rregullt që organizohet nga dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Tema e këtij viti është “Ndikimi negativ kinez dhe rus në Ballkan”. Forumi është mundësi e mirë për prezantim të Kosovës si vend që kontribuon në sigurinë rajonale dhe renditet krahë aleatëve euro-atlantik në përballje me sfidat e sigurisë në Ballkan.
“Lutjet e Mëngjesit” në Kongresin Amerikan janë tradicionale, ku marrin pjesë zyrtarë nga shumë vende të botës, me qëllim ndërtimin dhe fuqizimin e miqësive mes përfaqësuesve të qytetarëve nga vende të ndryshme për të mirën e përbashkët.
Krahas këtyre aktiviteteve, do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar çështjet dhe zhvillimet aktuale që lidhen me Kosovën.
Zoti e bekoftë miqësinë e popullit të Kosovës me popullin amerikan! /TV Arbëria