Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Maqedoni > Ish-kryeministri maqedonas Gruevski shpallet i pafajshëm në rastin e ndërtimit të selisë së VMRO-DPMNE

Ish-kryeministri maqedonas Gruevski shpallet i pafajshëm në rastin e ndërtimit të selisë së VMRO-DPMNE

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim lirues për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në rastin “Talir 2”, i cili kishte të bënte me akuzat për tejkalim të kompetencave zyrtare dhe financim të kundërligjshëm të ndërtimit të selisë së VMRO-DPMNE-së, raporton mediumi maqedonas, Sloboden Pecat.

Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjyqtarja Daniela Aleksovska theksoi se gjatë vendimmarrjes janë marrë parasysh ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023, për shkak të të cilave ishte ndryshuar edhe aktakuza.

Sipas Gjykatës, pavarësisht ndryshimeve në aktakuzë, provat dhe faktet e konstatuara kanë mbetur të pandryshuara, por Prokuroria nuk ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Gruevski e ka kryer veprën e tejkalimit të kompetencave zyrtare.

Aleksovska theksoi se Gjykata e ka pranuar plotësisht qëndrimin e Gjykatës së Apelit se ndryshimet në Kodin Penal janë drejtpërdrejt në dobi të të akuzuarit. Ajo nënvizoi se aktgjykimi lirues është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve ligjore të vitit 2023, e jo e një vlerësimi të ndryshëm të provave.

Sipas Gjykatës, edhe pse më parë të njëjtat prova kanë qenë të mjaftueshme për të konstatuar keqpërdorim të pozitës zyrtare, pas ndryshimeve ligjore ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për të dëshmuar veprën penale të tejkalimit të kompetencave zyrtare.

Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm avokatët e caktuar sipas detyrës zyrtare të Nikolla Gruevskit, si dhe përfaqësuesit ligjorë të VMRO-DPMNE-së. Gjykata vendosi që shpenzimet e procedurës të mbulohen nga Buxheti i shtetit, ndërsa e hodhi poshtë edhe kërkesën e Prokurorisë për konfiskimin e selisë së partisë.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe kundër tij lejohet ankesë në gjykatën më të lartë.

Rasti “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit në janar të vitit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u shfuqizua për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar në shkallë të parë me gjashtë vjet burg, por procedura u kthye për rigjykim.