Ish komandati i UÇK-së Basri Beka Feniksi reagon ndaj shkrimit të Behxhet Shalës lidhur me konvertimet dhe akuzat dhe për dyshimet në patriotizëm.
Basri Beka thekson se është ndjerë i ofenduar nga shkrimet e Behxhet Shalës dhe i cilëson si paragjykime shkrimet e tij.
Sipas Bekës ata që po konvertohen në krishterë dhe po përfaqësojnë krishterimin, ashtu si edhe ata që përqafojnë lëvizjen agnostike “Shqiptarizmin”, nuk janë të paguar.
Ish Komandati i UÇK-së po ashtu i lutet Shalës se para se të paragjykoj të analizoj se pse është duke u braktisur feja Islame.
Beka shprehet se kjo që po ndodh tani në Kosovë, qoftë me pagëzime, qoftë me shqiptarizmin, është një vizion kombëtar për të ardhmen e ndritur të shqiptarëve.
Tutje ai i drejtohet Shalës se me këto paragjykime dhe me këtë deklaratë, nuk është në vendin e duhur si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë duke theksuar se besimi është diçka personale dhe konvertimi duhet të jetë gjithashtu personal.
Po ashtu thekson se identiteti kombëtar është mbi çdo besim, dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Ish Komandanti i UÇK-së bënë thirrje që të jenë të lirë të besojnë në atë që dëshirojnë, pa paragjykime dhe pa ndasi të panevojshme.
Reagimi i plotë:
Reagim ndaj shkrimit të Behxhet Shalës lidhur me konvertimet dhe akuzat dhe për dyshimet në patriotizëm
Në shkrimin e tij “Korbat e ‘patriotizmit'”, z. Behxhet Shala, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KLMDNJ), ofron një analizë mbi aktualitetin politik në Kosovë, çështjen e Urës së Mitrovicës, rrethanat e krijimit të Gjykatës Speciale dhe rolin e partive politike. Edhe pse gjej një dakordim të përgjithshëm me perceptimin e tij mbi disa nga këto çështje, ndjehem i detyruar të shpreh kundërshtimin tim me paragjykimet e tij për dukurinë e pagëzimeve dhe kthimin e shqiptarëve në fenë e të parëve në krishterim. Z. Shala e akuzon këtë proces si të paguar dhe antikombëtar, gjë që është e pabazë dhe ofenduese.
Së pari, dua të siguroj z. Shala se të gjithë ata që po kthehen tek rrënjët e tyre dhe po përfaqësojnë krishterimin, ashtu si edhe ata që përqafojnë lëvizjen agnostike “Shqiptarizmin”, nuk janë të paguar. Të gjithë ata që njoh, të cilët kanë braktisur islamin ose planifikojnë ta braktisin, janë njerëz që “as nuk shiten e as nuk blihen”, por janë shqiptarë patriotë me vetëdije të lartë kombëtare. Kjo frymë kombëtare nuk do të ndalet; përkundrazi, do të bëhet gjithnjë e më masive.
Z. Shala, para se të paragjykoni, ju lutem analizoni pse kemi arritur në këtë proces të braktisjes së fesë islame. Pse nuk e pyetni veten a do të kishte një përgjigje të tillë publike sikur të mos ishte në pyetje ekzistenca e gjuhës, identitetit dhe kulturës sonë? A do të kishim arritur te këto lëvizje si lëvizja e Deçanit, shqiptarizmi, pagëzimet, sikur çdo ditë të mos fyheshim si shqiptarë nga imponimi i një kulture dhe tradite turko-arabe? A do të kishim arritur te këto lëvizje nëse heronjtë tanë kombëtarë si Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Adem Jashari dhe rilindësit tanë të mos fyheshin? A do të kishim arritur deri te këto lëvizje nëse Islami politik, BIK-u dhe ndërhyrjet e jashtme me organizata qeveritare dhe joqeveritare turke nese nuk do të promovonin Perandorinë Osmane si çliruese kur në fakt ka qenë pushtuese? A do të kishim arritur te këto lëvizje nëse politikanët tanë dhe udhëheqësit institucionalë do të ishin të vetëdijshëm për karakterin laik të shtetit tonë dhe do të respektonin kushtetutën? A do të kishim arritur deri këtu nëse partitë politike dhe politikanë të ndryshëm nuk do të flirtonin me islamin politik dhe nuk do të pranonin ryshfetin e lëmoshën nga klerikët myslimanë të cilët ju ofrojnë kompani turke dhe sheik për të bërë biznes? A do të kishim arritur deri këtu nëse me ryshfet, korrupsion dhe imponim nuk do të ndërtoheshin xhami në çdo rrugë magjistrale dhe autostradë në çdo udhëkryq dhe vend të dukshëm pa pasur nevojë besimtarët?
Është e qartë se Arabia Saudite dhe Turqia kanë interesa të fuqishme në investimin në ndërtimin e xhamive në rajon. Për Arabinë Saudite, investimi në ndërtimin e xhamive është një strategji për të rritur ndikimin e saj fetar dhe kulturor. Duke krijuar mijëra besimtarë që shkojnë në Mekë për pelegrinazh, ata e kthejnë investimin 100% brenda vitit. Supozoni se 1000 besimtarë shpenzojnë mesatarisht 6-7 mijë euro për pelegrinazh, që përkthehet në 6-7 milionë euro të hyra për Arabinë Saudite, një investim i sigurt dhe fitimprurës.
Nga ana tjetër, Turqia synon të ringjallë ndikimin e saj perandorak osman, duke mos e bërë këtë në formën e vjetër, por duke përdorur vendet që ndjekin shembullin e saj, ashtu si Irani përdor Jemenin, Sirinë dhe Libanin si satelitë për nevojat e veta. Kjo është një përpjekje për të ushtruar ndikim politik dhe ekonomik në rajon, duke ndërtuar xhami dhe duke promovuar kulturën dhe traditat turke.
Kjo që po ndodh tani në Kosovë, qoftë me pagëzime, qoftë me shqiptarizmin, është një vizion kombëtar për të ardhmen e ndritur të shqiptarëve. Para 200-300 vjetësh, një pjesë e madhe e shqiptarëve pranuan fenë islame nën presionin dhe dhunën për të mbijetuar; tani po e braktisin fenë islame për t’u zhvilluar dhe zgjeruar. Kjo është një rezistencë për të mos u tjetërsuar si kulturë dhe identitet, por për të ruajtur, zhvilluar dhe kultivuar gjuhën tonë, kulturën tonë. Po ashtu, dua t’ju siguroj se nuk ka pompozitet sa është masive kjo lëvizje, dhe kjo është e drejtë elementare e njeriut për të zgjedhur.
Prandaj, kam një pyetje të fundit për ju: a është manipulim më i madh politik organizimi i konferencave për shtyp nga liderët politikë në kohë “azani”, shtrimi i iftarëve në sheshe dhe thirrja në Islam pesë herë në ditë nga minaret, apo shprehja individuale e njerëzve në identitetin e tyre?
Jam i mendimit se me këto paragjykime dhe me këtë deklaratë, ju nuk jeni në vendin e duhur si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Besimi është diçka personale dhe konvertimi duhet të jetë gjithashtu personal. Identiteti kombëtar është mbi çdo besim, dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Le të jemi të lirë të besojmë në atë që dëshirojmë, pa paragjykime dhe pa ndasi të panevojshme./Arbëria Tv/